Kreu i ARRSH-së, Ami Kozheli në një deklaratë për mediat këtë të hënë foli mbi ecurinë dhe zgjidhjen e problematikës sa i takon segmentit rrugor Librazhd-Prenjas.
Sipas tij, situata vijon të mbetet problematike dhe rruga do të vijojë të jetë e mbyllur. Kozheli gjithashtu theksoi nevojën për një rrugë alternative për banorët e zonës, pasi kalimi në këtë aks vijon të jetë problematike.
“Situata paraqitet kritike. Ajo që e shpresuam të ishte një plan rrëshqitjeje deri në gjashtë metra rezultoi që nuk është i tillë, kemi një rrëshqitje aktive. Masat paraprake për krijimin e bypassit dhe të unazës sekondare nuk rezultuan efektive, kështu që aksi do të vijojë të mbetet i mbyllur.
Ne po diskutojmë për një rrugë alternative dhe po shikojmë dy mundësi, ajo ekzistuese që është përdorur nga automjetet, ndërkohë që në një diskutim që patëm sot me banorët e zonës thanë se mund të ekzistojë krijimi i një rruge sekondare. Po e shikojmë dhe po e vlerësojmë. Nga monitorimet në zonën e banesave nuk ka një plan rrëshqitjeje, por megjithatë po mbahet në monitorim”, u shpreh Kozheli.









