Vendimi i Donald Trump për të urdhëruar sulme ajrore ndaj Iranit do të varet pjesërisht nga ajo që të dërguarit e tij të posaçëm, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, do t’i tregojnë atij nëse Teherani po vonon një marrëveshje për të hequr dorë nga aftësia e tij për të prodhuar armë bërthamore, sipas Guardian .
Presidenti amerikan, shtoi raporti, nuk ka marrë vendimin e tij përfundimtar për ndonjë sulm ndaj Iranit, ndërsa Uashingtoni përgatitet të mirëpresë propozimin e fundit të Teheranit para negociatave të së enjtes në Gjenevë.
SHBA-të do të përfaqësohen në këto bisedime nga dyshja Kushner-Witkoff, vlerësimi i të cilëve për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje do të formësojë llogaritjet e Trump. Nëse nuk arrihet asnjë marrëveshje, Trump u ka thënë këshilltarëve të tij se po shqyrton sulme të kufizuara për të ushtruar presion mbi Iranin dhe, nëse kjo dështon, një sulm shumë më të madh për të detyruar ndryshimin e regjimit.
Një zyrtar amerikan tha të hënën se Witkoff ishte pjesë e ekipit që këshillonte Trump se si të vepronte me Iranin dhe kishte marrë pjesë në të gjitha takimet mbi këtë çështje.
Donald Trump ka marrë shumë informime mbi opsionet ushtarake, përfshirë atë më të fundit të mërkurën në Sallën e Operacioneve të Shtëpisë së Bardhë. Në javët e fundit, ai ka kërkuar gjithashtu pikëpamjet e një game të gjerë zyrtarësh mbi atë që duhet bërë me Iranin.
Ndër zyrtarët që presidenti amerikan është konsultuar janë Zëvendëspresidenti J.D. Vance , Sekretari i Shtetit Marco Rubio, Drejtori i CIA-s John Radcliffe, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, Gjenerali Dan Kaine, Shefja e Shtabit të Shtëpisë së Bardhë Susie Wiles dhe Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare Tulsi Gabbard .
Sipas Guardian, Vance paraqiti qëndrimet pro dhe kundër sulmeve ajrore, por thuhet se i bëri presion Gjeneralit Kaine mbi rreziqet e mundshme, kryesisht sepse nuk është aq i sigurt për gjasat e suksesit të një sulmi ndaj Iranit krahasuar me operacionin për të kapur Presidentin Venezuelan Nicolas Maduro.
Kaine i ka shprehur shqetësimet e tij më hapur në Pentagon sesa kur informoi Trumpin , në një përpjekje, spekulojnë zyrtarët, për të mos u dukur sikur mbështet një kurs të caktuar veprimi.
Në një deklaratë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, tha se Kaine është “një profesionist shumë i respektuar, puna e të cilit kërkon ofrimin e inteligjencës së paanshme për komandantin e përgjithshëm, gjë që ai e bën shkëlqyeshëm”, dhe se ai nuk ka shprehur pikëpamjet e tij personale.
Megjithatë, brenda administratës ekziston pasiguri nëse sulmet ajrore do të jenë të mjaftueshme për të ushtruar presion mbi Iranin që të thotë po për një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara – apo edhe të çojë në përmbysjen e Khameneit dhe rrethit të tij të ngushtë.
Për këtë qëllim, zyrtarët e administratës Trump kanë eksploruar gjithashtu zgjidhje të mundshme për të shmangur konfliktin ushtarak. Ndër idetë që po diskutohen është lejimi i Iranit të mbajë një kapacitet të kufizuar të pasurimit të uraniumit vetëm për kërkime mjekësore, trajtim ose qëllime të tjera jo-ushtarake.
Rubio pritet gjithashtu të udhëtojë në Izrael për të informuar kryeministrin Benjamin Netanyahu mbi rezultatin e negociatave në takimet e planifikuara për 28 shkurt, sipas dy personave të njohur me çështjen.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë grumbulluar forcën e tyre ajrore më të madhe në Lindjen e Mesme që nga pushtimi i Irakut në vitin 2003. USS Gerald Ford, aeroplanmbajtësja më e përparuar e Marinës, është tashmë në Suda dhe pritet të mbërrijë në rajonin e Lindjes së Mesme në ditët në vijim.
Përforcimi pritet t’i japë Trumpit mundësinë për të nisur një fushatë të gjerë ajrore kundër Iranit, në vend që të kryejë një sulm të kufizuar si operacioni i verës së vitit 2025, kur bombarduesit B-2 fluturuan nga SHBA-ja për të goditur një numër të vogël objektesh të pasurimit të uraniumit në Fordow, Isfahan dhe Natanz./ Protothema









