Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, realizoi një inspektim në Degën Doganore të Bllatës pas rritjes së fluksit të mjeteve që ka ndodhur për shkak të situatës në aksin Librazhd–Elbasan.
Kjo situatë ka bërë që shumë kamionë të devijojnë drejt këtij kalimi kufitar, duke rritur ndjeshëm punën e kësaj pike doganore.
Pas marrëveshjes ndërinstitucionale dhe koordinimit me palën maqedonase, Beja tha se ka pasur një angazhim të shtuar për të siguruar një përpunim më të shpejtë të mallrave dhe kalimin e mjeteve.
Ai theksoi: “Jemi këtu për të vlerësuar se si po zbatohet plani i masave. Pavarësisht ngarkesës, gjithçka po ecën mirë dhe në mënyrë të rregullt.”
Për të menaxhuar këtë situatë, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka angazhuar staf shtesë dhe ka marrë masa për të përshpejtuar procedurat doganore dhe për të mbështetur operatorët ekonomikë gjatë kësaj periudhe të përkohshme.









