Polarizimi i thelluar politik në vend po ndikon në funksionimin normal të institucioneve demokratike dhe veçanërisht në rolin mbikëqyrës të Kuvendit.
Ky ishte mesazhi i përcjellë nga përfaqësuesja e Komisioni Europian gjatë një diskutimi në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian mbi ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.
Zyrtarja theksoi se zbatimi i reformës zgjedhore dhe ulja e tensioneve politike janë thelbësore për forcimin e demokracisë në vend.
“Së pari, ne konsiderojmë se raporti thekson saktë rëndësinë e zbatimit të reformës zgjedhore dhe trajtimit të çështjes së polarizimit politik, i cili po kufizon mbikëqyrjen parlamentare,” u shpreh ajo, duke nënvizuar gjithashtu rëndësinë e rolit që luan Parlamenti Europian në përcjelljen e këtyre mesazheve te forcat politike shqiptare.
Në vijim, përfaqësuesja e Komisionit ndaloi edhe te sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit, duke theksuar nevojën për forcimin e mëtejshëm të sistemit gjyqësor dhe për rezultate konkrete, sidomos në rastet e korrupsionit në nivele të larta.
Sipas saj, këto mbeten elemente kyçe për avancimin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimi Evropian.









