Trajneri i Tiranës, Orges Shehi, ka analizuar humbjen e skuadrës së tij me përmbysje 3-1 kundër Vllaznisë në ndeshjen e javës së 26-të të “Abissnet Superiore”.
Ai ka theksuar se ka shumë punë për të bërë për të përmirësuar disa aspekte të lojës, duke u fokusuar te përballimi i presionit dhe shmangia e gabimeve që çuan në humbje.
“Emergjencë? Pavarësisht se ditët janë të pakta, jemi munduar që gjërat bazë të funksionin më mirë. Kërkojmë pasime të lojtarëve që janë nën presion, të atyre me shpinë. Ata me shpinë kërkojnë të mbajnë topin. Më vjen keq sepse golat i kemi marrë edhe prej gabimeve tona. Patjetër që Vllaznia mund të ishte pak më dominante, sistemi, lojtarët kanë 1 vit me trajnerin, por nuk duhet të pësonim ato gola,” tha Shehi, duke analizuar gabimet e bërë gjatë ndeshjes.
Ai shtoi gjithashtu se skuadra ka nevojë për të përmirësuar gjendjen fizike dhe të shmangë presionin që shkakton gabime të tilla: “Në ndërtim futeshim shumë shpejt në presion. Nuk është vetëm psikologjike, ndikon, por ka punë për të bërë edhe mënyrën si interpretohet loja. Do mundohemi që të rrisim gjendjen fizike edhe pse nuk kemi kohë.”









