Në një periudhë të tensionuar dhe të pasigurt në Lindjen e Mesme, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka dhënë një vlerësim mbi zhvillimet e fundit pas sulmeve ndaj Iranit.
Ai ka theksuar se konflikti mund të vazhdojë për disa javë dhe ka konfirmuar humbjen e tre ushtarëve amerikanë, duke bërë të qartë se operacionet po zhvillohen sipas planit të parashikuar.
Në një intervistë telefonike, Trump u shpreh për mundësinë e bisedimeve të mëtejshme me Iranin, por pa e përjashtuar vazhdimin e veprimeve ushtarake.
“Konflikti mund të zgjasë deri në katër javë. Ne gjithmonë e kemi konsideruar si një proces të përshpejtuar dhe, për shkak të madhësisë së Iranit, mund të kërkojë disa javë ose edhe më pak. Ky është një operacion që po zhvillohet sipas planit,” tha Presidenti amerikan. Ai gjithashtu konfirmoi se “tre ushtarët amerikanë kanë humbur jetën në këtë fazë të operacioneve,” duke shtuar se “në operacione të tilla, humbjet janë të pranishme.”









