Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me klimën e biznesit në Shqipëri, duke ngritur shqetësimin për ndikimin negativ të politikave të shtetit në investimet e huaja dhe zhvillimin ekonomik.
Ajo theksoi se bizneset e ndershme po vuajnë pasojat e një administrate që, sipas saj, është selektive dhe diskriminuese ndaj sipërmarrësve.
“Ndryshimet e shpeshta të ligjeve, miratimi i akteve të veçanta për interesa të caktuara dhe favorizimi i sektorëve apo kompanive të përzgjedhura kanë prishur rregullat e tregut dhe kanë dëmtuar konkurrencën e lirë. Sa më korrekt të jesh me shtetin, aq më shumë goditesh prej tij. Kjo është taksa e të ndershmëve. Shumë investitorë të huaj kanë humbur besimin tek klima e biznesit në Shqipëri, ku pasiguria ligjore dhe diskriminimi i sipërmarrësve të ndershëm po e bën gjithnjë më të vështirë për ata të zhvillojnë aktivitetin e tyre. Çdo investitor që largohet nga Shqipëria ka një ndikim të drejtpërdrejtë: humbje vende pune, rritje të korrupsionit dhe produkte me cilësi më të dobët për qytetarët. Të gjithë ata që mund të kishin kontribuar në rritjen e ekonomisë shqiptare, tani janë të detyruar të shkojnë në rajon. Kjo është një humbje për ekonominë dhe për të gjithë qytetarët.”









