Kryeministri Edi Rama ka inspektuar sot punimet në Korridorin e VIII dhe ka reaguar ndaj shembjes që ndodhi te Arra e Gurrës, e cila paralizoi qarkullimin në juglindje për 11 ditë.
Ai shpjegoi se shkaqet e rrëshqitjes ishin kushtet atmosferike të këqija dhe shirat e vazhdueshëm, dhe jo gabime në punimet për ndërtimin e aksit.
Rama theksoi se ishte një fenomen natyror dhe se, ndonëse ka pasur një tollovi të madhe në publik, është e rëndësishme të presim dhe të trajtojmë situatën me kujdes.
“Tollovia që u shemb rruga nga punimet, është një manipulim dhe perversitet i madh sepse këtu jemi në aksin e vjetër, aksi i ri nuk është ndërtuar ende. Ajo atje është një rrëshqitje e shkaktuar nga fakti gjeologjik i ngarkuar nga shirat. Kriminale në lidhje me publikun, por kur ka zhurma të mëdha duhet të presësh të bjerë fryrja e madhe e një plage për ta adresuar pastaj, ndryshe nuk të dëgjon njeri, është një plagë e kësaj natyre ku mjafton të vish ta shohësh dhe kupton ku je dhe se nuk ka dorë njeriu ta shkaktojë nga paaftësia.”









