Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka njoftuar se dy fregata luftarake franceze do të dërgohen në Detin e Kuq për të mbështetur misionet ndërkombëtare që merren me mbrojtjen e anijeve pas mbylljes efektive të Ngushticës së Hormuzit nga Irani.
Kjo lëvizje është pjesë e përpjekjeve për të menaxhuar ndikimin ekonomik të mbylljes së këtyre rrugëve detare kyçe për furnizimet me naftë dhe energji.
Fregatat do t’i bashkohen një misioni të BE-së që ka si objektiv mbrojtjen e anijeve ndërkombëtare në Detin e Kuq, duke përfshirë anën lindore të Gadishullit Arabik, por pa hyrë në Gjirin Persik.
Ky mision u krijua pas një serie sulmesh nga Huthitët në fund të vitit 2023, të mbështetur nga Irani, ndaj anijeve ndërkombëtare.
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, gjatë vizitës së tij në Qipro, u bëri thirrje vendeve të tjera europiane që të kontribuojnë më shumë në forcimin e pranisë detare në këtë rajon, duke theksuar rëndësinë e sigurisë për transportin detar.
Kjo nuk është hera e parë që Franca ka mobilizuar forcat e saj pas eskalimit të tensioneve në Lindjen e Mesme. Macron gjithashtu ka premtuar dërgimin e fregatës “Languedoc” dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore në Qipro, pas sulmit me dron ndaj një baze ajrore britanike.









