Duke lexuar ate artikull te paraqitur si nje “manifest” i perbashket nga autoret dhe sponsoret, nuk mund te mos shqetesohesh. Por edhe kupton krizen e thelle te rregjimeve autokratike te Rajonit tone, me “aspiratat” e tyre larg nga vlerat e principet europiane e perendimore.
Pa dyshim shembelltyra me e qarte e ketyre rregjimeve eshte ai i Tiranes me ate te Beogradit. Per kete aresye jane te kuptueshme edhe shqetesimet e tyre te perbashketa per mbijetese, bashkepunimi dhe nderthurja e tyre per tju kundervene te gjitha inisiativave, te cilat do te benin te detyrueshme permbushjen e standarteve demokratike e politike, te domosdoshme per te qene pjese e familjes europiane. Prandaj te dy bashke-autoret kerkojne te fusin nga “dritarja” ne ate familje europiane qeverisjet e tyre anadollake, nderkohe qe e kuptojne se hyrja normale nga “porta” do te ishte e pa mundur pa realizuar thelbin e parimeve europiane.
Por kjo per ta eshte e pa pranueshme, sepse do te kerkonte fundin e sundimit autokratik, rivendosjen e vlerave e demokracise, fundin e rregjimit.
Per kete aresye kalojne ne “akrobaci”, qe tregojne krizen e thelle te ketyre rregjimeve, vecanerisht kjo ne maredheniet me Brukselin.
Si i tille artikulli i perbashket Rama-Vucic, godet interesat e shqiptareve e Rajonit, te cilat lidhen me aspiraten e integrimit europian ne baze te permbushjes se standarteve thelbesore per cdo demokraci perendimore. Aspirate kjo krejt ndryshe nga kolonat e atij artikulli, qe kerkojne te “legalizojne” rregjimet lindore edhe perballe demokracive perendimore, t’i beje ato te pranueshme si pjese midis tyre me disa retushime sekondare. E pamundur kjo sepse Europa e Bashkuar me rregjimet jane diametralisht te ndryshme ne themelet politike. Si te tilla ata nuk mund te bashkejetojne. Pikerisht ne kete sens ky artikull pranon e stimulon edhe konceptin e diskriminimit ndaj shqiptareve, brenda vete BE, kur “lutet” per nje lloj integrimi te dores se dyte, te lidhur vetem me ”tregun ekonomik dhe levizjen Shengen”. Ndersa shqiptaret duhet te punojne e impenjohen per tu bere pjese e Europes konform rregullave e procedurave per aderim, standarteve politike e te nivelit te demokracise qe ai bashkim ka, apo do te implementoje neser, nqs ato do te ndryshojne. Eshte iluzive dhe diskriminuese ndaj vendit tend te kerkosh rregulla “speciale” inferiore per “antaresime” te cunguara, te stigmatizosh keshtu popullin tend si “delja e zeze” e Rajonit, mjafton qe rregjimet ne Tirane e Beograd te ruajne sundimin e tyre politik.
Te “drejtat e cunguara” ne ate bashkim, qe perdoren si argument antaresimi nga bashke autoret perkthehen qartesisht ne standarte te cunguara, ne vlera te cunguara, ne demokraci te cunguar per popujt tane, qe kerkohen te pranohen nga BE, si nje “leshim” per rregjimet e tyre!
Nga ana tjeter ky eshte nje botim ne dukje i “cuditshem”. Pikerisht kur Rilindja trumbeton hapjen e gjithe kapitujve dhe vendos edhe “afatet e aferta” kohore te mbylljes se tyre me anateresimin ne BE te Shqiperise, kerkohet nje pranim “sui generis”, i pa influencuar nga mos realizimi i standarteve e vlerave te domosdoshme. Pra ai deshmon keshtu fallsitetin e ketyre deklaratave, nepermjet rreshtave lexon te verteten, duke u bere evidente distanca e madhe qe aktualisht na ndan nga BE i aspiruar. Dhe kjo distance, qe ne vend te shkurtimit te saj progresiv po zmadhohet e veshtiresohet jo per shkak te reformave te mundeshme brenda BE, por per largim te Shqiperise nga realizimi i standarteve te domosdoshme europiane, keqesimit te gjendjes ketu perballe korrupsionit, krimit, forcimit te konceptit parti-shtet, deformimit te demokracise, lirive, te drejtave, vlerave perendimore, etj etj.
Prandaj ne ate artikull tentohet te goditet fort integrimi i vertete europian i bazuar mbi vlerat e tij. BE eshte bashkimi me madheshtor i krijuar pa lufte ne historine e njerezimit, pikerisht mbi keto parime e standarte, eshte nje bashkim se pari politik, demokracie, te drejtash, lirish. Cdo tentive per ta “thjeshtesuar” ate ne nje “treg ekonomik e levizje Shengen”, qe eshte dhe leitmotivi i artikullit, kerkon ta cvleresoje, ta ktheje ne nje “gjysma gjel” pothuajse pa permbajtje.
Kjo mund te jete e preferueshme per Sebine por jo per Shqiperine, shqiptaret e shumicen e Rajonit tone, ashtu sic besoj eshte dhe do te mbetet e pa pranueshme dhe e pa ndryshueshme per BE. Ne fakt ketu kemi te bejme me nje tentative iluzive te te dy rregjimeve, qe ne agonine e tyre kerkojne te shpetojne sundimin duke u kapur mbas “fijes se barit”.
Por jo vetem kaq. Autoresia e perbashket Rama-Vucic, vendosja ne nje plan ndaj BE dhe me gjere e Shqiperise dhe shqiptareve me Serbine, e aspitratave tona, eshte pa dyshim nje levizje e rrezikeshme, ndesh me te verteten historike, vizionet tona kombetare, me realitetin aktual.
Shqiperia e shqiptaret jane si nata me diten ndaj aspirartes europiane me Serbine. Per ne integrimi europian, mbas antaresimit ne NATO, perben objektivin tone madhor historik. Per Serbine se paku per dekada jo. Veshtrimi i saj eshte drejt Lindjes e Rusise. Ajo ka zgjedhur te jete pjese e Traktatit EuroAsian te Rusise me te gjithe implikimet e tij. Nje organizem ai i krijuar si kunder peshe i BE, antagonist me ate. Te vendosesh ne te njejten “karroce” integruese apolitike Shqiperine me Serbine, do te thote qe ne te humbim te vetmin avantazh per ate proces, motorrin tone me te fuqishem per drejt Europes, ate te aspirates politike, te idealit europian, te “yllit tone polar”, qe per ne eshte Brukseli. Shume larg ky realitet me vektorin e aspirates e lidhjeve plurifaktoriale serbe.
Rama e provoi pak vite me pare te lidhte Shqiperine me ate traktat EuroAsian nepermjet projektit serb te “Ballkanit te hapur”. Deshtoi e sot ai projekt eshte ne “arkivol”, por jo i “varrosur” sic duket. Dalja tashme se bashku me Vucic me keto teza te rrezikeshme per shqiptaret e Rajonin te atij artikulli, tingellon si nje tentative “ringjallje” e projektit serb te “Ballkanit te hapur”. Sepse keto teza ne ato linja kerkojne te krijojne direkt apo indirekt ne Rajonin tone nje hapesire te ndermjeteme Lindje-Perendim, edhe per faktin e cveshjes se lidhjeve me BE nga nocionet politike, te demokracise, pa standarte te tilla. Jam i bindur se dhe Rusia do te pranonte nje lidhje te tille, e cila ne fund te fundit do te cungonte e do te demtonte rende BE ne rolin e misionin e saj, nqs do te pranohej. Por mbi te gjitha do te krijonte deme te pa llogaritshme per ne shqiptaret e shumicen e popujve te Rajonit. Keto teza jane ne sintoni me tezat e vjetra anti shqiptare, qe propagandojne se Shqiperia nuk eshte as Lindje e as Perendim, gjoja eshte nje “ure” midis tyre. Kur ne realitet ne jemi ne te gjitha aspektet, historine, afinitetin, vetem pjese integrale e Perendimit, Europes. Kjo qe prej Ilireve, Skenderbeut e deri tek levizja jone demokratike, qe permbysi diktaturen komunisto-lindore. Historia e egzistenca jone si komb eshte e lidhur dhe garantuar vetem duke qene terresisht pjese integrale e Perendimit, e familjes europiane.
Pervec kesaj ky artikull eshte jashte realitetit e interesave te shqiptareve e Rajonit edhe ne nje kend veshtrim tjeter. Ne rreshtat e tij kerkohet te “shplahet” Serbia nga krimet e saj kunder njerezimit, genocidin akoma te pa denuar prej saj, duke e vendosur ne nje plan ndaj te ardhmes se Rajonit me Shqiperine, shqiptaret e popujt e tjere qe pesuan krimet millosheviciane. Ky eshte nje deformim i thelle i realitetit e perspektives. Sepse vendosja e shenjes se barazise midis Serbise, qe prodhoi krime kunder njerezimit, genocid ne Kosove, Bosnje, Kroaci e Rajon me viktimat, eshte e pa pranueshme. Aq me shume ne nje kohe kur Serbia jo vetem nuk distancohet e as pranon ato krime, por perkundrazi kerkon te paraqese koke poshte te verteten. Nje paraqitje e tille e perbashket Rama-Vucic jep reperkusione negative e shtyn ne shperndarjen e deformimeve historike. Pa dyshim kjo influencon negativisht edhe ne ecurine e atij procesi farse ne Hage ndaj liderave te UCK. Nje artikull i tille se paku nuk mund te shkruhej kurre vecanerisht ne keto momente “gjykimi”, qe kerkon te permbyse historine ne ate gjykate kosovaro-nderkombetare.
Dhe ne fund do te desheroja te evidentoja nje “rastesi” te dukeshme. Kuvendi i yne pak jave me pare miratoi nje deklarate te rendesishme per gjykimin larg te vertetes, te drejtuesve te UCK ne Hage. Ne ate dokument u vendosen disa elemente, qe Rilindja nuk lejonte te vendoseshin per vite ne nje deklarate a rezolute parlamentare, te kerkuara nga opozita:
—Njohja e denimi i krimeve kunder njerezimit, percaktimi i genocidit te kryer nga makina ushtarake serbe ndaj Kosoves ne fund te viteve 90-te. Si dhe kerkesa e Kuvendit tone ndaj Qeverise se Shqiperise per te asistuar ate te Kosoves ne denoncimin nderkombetar te ketyre krimeve.
Ky bashke-artikull Rama-Vucic tingellon edhe si nje terheqje me perulje e maxhorances perpara Vucic, nga ato qe me te drejte, megjithese me vonese, u vendosen ne ate deklarate te perbashket te Kuvendit te Shqiperise.









