Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar ndaj thashethemeve që janë përhapur lidhur me rikthimin e hapësirave publike të Komunës së Parisit, të cilat u liruan vitin e kaluar, në përdorim privat nga bizneset.
Braçe i ka hedhur poshtë këto akuza, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë marrëveshje për lejen e rimarrjes së këtyre hapësirave për përdorim privat.
Ai theksoi se aksioni për lirimin e hapësirave publike ka qenë një angazhim për interesin publik dhe se nuk do të ndryshojë pozita e tij, asnjëherë, për të favorizuar interesat private.
“Im atë më tha javën e shkuar se qarkullojnë fjalë në Komunën e Parisit që hapësirat publike që janë rizënë nga lokale e parkingje, i ke lejuar ti! I thashë dhe po ua them dhe juve: Kur unë ndërmarr një veprim në territor, siç ishte aksioni për lirimin e hapësirave publike, e mendoj mirë dhe nuk kthehem kurrë pas; ndjek interesin publik dhe jo atë privat, edhe kur ky interes është i miqve të mi. Kështu që zero marrëdhënie, zero komunikim, zero fjalë dhënë nga unë që privatët të rimarrin përsëri hapësirën publike për lokale e parkingje, të cilën ne e rimorëm vjet gjatë verës e vjeshtës!,” – shkruan Braçe në rrjetet sociale.









