-sidi education-spot_img
4.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Jorgji Kote: Jo më kështu me ministrat e Jashtëm

Kryesoret

Gati 20 vjet më parë, më 6 qershor 2006, gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë, në një bisedë të lirë ku isha i pranishëm si diplomat, ministri i Jashtëm danez, Per Steg Moller, i sugjeroi homologut të tij shqiptar të asaj kohe, Besnik Mustafaj, për të treguar kujdes që lëvizjet e ministrave të Jashtëm të mos ishin të shpeshta. Ai kishte marrë shkas nga një rast i ndodhur në vitin 2002, kur kabineti i tij i kishte përcjellë kërkesën për një takim njohës me ministrin e Jashtëm shqiptar. I habitur, ai u kishte thënë se e kishte ftuar atë para 6 muajve, por përgjigja ishte se tani bëhej fjalë për një ministër të ri të Jashtëm!

Ato çaste mendova se kështu do të ndodhte; ca më tepër se vetëm disa muaj më parë kishte ardhur në pushtet PD-ja, ku Besnik Mustafaj kishte goxha kredenciale në lidershipin e saj më të lartë. Mirëpo, nuk kaluan as 9 muaj dhe vetë zoti Mustafaj iku, duke mos mbushur as dy vjet si ministër i Jashtëm. Ca më keq akoma, në 6 vitet e tjera erdhën dhe shkuan plot 5 pasardhës të tij! Kështu ndodhi edhe gjatë viteve 2001–2005, kur patëm 4 ministra të Jashtëm për shkak të lëmshit në qeverinë e PSsë? Edhe pse zonja Arta Dade, ministrja e parë dinjitoze grua po e justifikonte më së miri vendin e vet, me një imazh tejet pozitiv në qarqet Euro-Atlantike, por jo vetëm.

Ky episod m’u kujtua javën e kaluar kur ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, personalitet i konsoliduar i shumicës parlamentare, u shkarkua krejt pa pritur, pa mbushur ende as 6 muaj dhe pa asnjë shpjegim zyrtar nga Kryeministri Rama.

Për pasojë, edhe 20 vite pas sugjerimit të mësipërm të ministrit të Jashtëm danez, lajmi i keq është ndryshimet e shpeshta në nivelet më të larta të diplomacisë sonë.

Këtyre ndryshimeve nuk u kanë shpëtuar as kryediplomatët tanë, të cilët do të duhej të ishin garantë të kontinuitetit në këtë fushë; sepse për shkak të tipareve të saj specifike, lëvizjet në diplomaci bëhen shumë më me ngadalë se kudo gjetkë.

Përvoja dhe praktika ndërkombëtare dëshmon se ministrat e Jashtëm qëndrojnë relativisht për një kohë më të gjatë në detyrë se kolegët e tyre të fushave të tjera. Sepse kontinuiteti në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, sidomos për shtete të vogla si Shqipëria, është shumë i rëndësishëm.

Me ndonjë përjashtim të rrallë, është pothuajse e pamundur të gjesh raste të tjera në praktikën ndërkombëtare diplomatike, qoftë dhe të vendeve rreth nesh, ku ministrat e Jashtëm të mos qëndrojnë në detyrë të paktën 4 vjet, pa përmendur jo pak të tjerë që kanë qëndruar në atë post të lartë dhe të veçantë shumë më gjatë, madje edhe mbi 10 vjet!

Ndodh kështu pasi sado të justifikuara e të papritura qofshin, ndryshimet politike që te ne kanë qenë të shpeshta, ato prekin shumë më pak shefat e diplomacisë dhe krejt shërbimin e jashtëm. Falë kësaj jetëgjatësie diplomatike, ministrat e Jashtëm bëhen më të besueshëm dhe merren më seriozisht nga partnerët e tyre.

Më konkretisht, në Britaninë e Madhe, Francë, Itali etj., kryediplomatët kanë qëndruar vazhdimisht të paktën për sa kohë në pushtet është i njëjti formacion politik. Krahas ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov, i cili ka 22 vite në atë post, tipik është rasti i ish-ministrit të Jashtëm legjendar gjerman, Hans Dietrich Genscher, i cili qëndroi 17 vjet në krye të diplomacisë gjermane, derisa dha vetë dorëheqjen në vitin 1992, pasi ndërroi dy koalicione qeveritare. Pasardhësit e tij, Klaus Kinkel, Joschka Fischer dhe Frank Walter Steinmeir ndenjën 7 vjet, aq sa qëndruan në pushtet partitë e tyre. Se kryediplomatët nuk lëvizin, ca më pak për konvejencë apo për t’i bërë qejfin njërit apo të tjetrit, kushdo qoftë ai.

E kundërta ka ngjarë te ne, ku në gati 35 vitet e fundit kemi pasur plot 18 ministra të Jashtëm, pra një në më pak se dy vjet. Gjatë të njëjtës periudhë, vetëm 3 ministra të Jashtëm e kanë përfunduar mandatin e tyre 4- vjeçar: Alfred Serreqi (1992 – 1996), Paskal Milo (1997 – 2001) dhe Ditmir Bushati (2013 – 2018). Të tjerët e kanë lënë në mes ose siç i thonë fjalës “më shpejt kanë ikur se sa kanë ardhur”.

Në fakt, këto rokada të shpeshta janë tipar i zakonshëm i gjithë administratës sonë publike dhe i riformatimeve qeveritare pa kriter sidomos në këto 20 vitet e fundit. Me gjithë premtimet e bujshme, edhe qeveritë e arnuara socialiste në 13 vitet e fundit e kanë përkeqësuar edhe më tej gjendjen. Kështu, një zot e di sa janë, 50 apo 60 ministrat e liruar apo të shkarkuar në vetëm 12 vite! Këtij fati nuk i ka shpëtuar dot as Kuvendi, që deri në vitin 2021 është shquar për stabilitet. Në pesë vitet e fundit ai ka pasur 3 kryetarë, diçka e paparë! “Kërdia” është bërë edhe me 8 ministrat e brendshëm dhe 8 drejtorët e përgjithshëm të policisë në 12 vite si askund, me efekte dhe tregues negativë për rendin dhe sigurinë publike.

Dhe këtu fjala është jo për ministra dosido, por me ndonjë përjashtim të rrallë për personalitete të njohura në udhëheqjen më të lartë të PS-së. Nga ana tjetër, këto lëvizje të shpeshta dhe pa kriter kanë injoruar parimin e shenjtë të hierarkisë dhe karrierës partiake dhe qeveritare! Kur dihet se kudo në botë, edhe në vende autoritare një kuadër ngjitet shkallë-shkallë në atë hierarki dhe jo “me një të rënë të lapsit”. Ndaj, me përjashtim të ndonjë skandali ose arsye shëndetësore, një personalitet politik dhe shtetëror nuk mund të largohet dhe as të zbresë “sa hap e mbyll sytë” në fund të tabelës së renditjes politike. Shqetësimi dhe meraku këtu nuk është thjesht karriera e një personi apo partie, por për një qeverisje të mirë, e cila me gjithë premtimet e bujshme vërtet që na mungon në të gjitha nivelet.

E megjithatë, faktori i lartpërmendur, krizat politike dhe partiake nuk ka pse të përfshijnë ndërrimet dhe ndryshimet e shpeshta në kupolën e diplomacisë.

Madje, shqetësimi akoma më serioz është se këto ndryshime të shpeshta në kreun e diplomacisë janë bërë edhe brenda të njëjtit koalicion qeveritar, madje edhe kur në pushtet është një parti e vetme si PS-ja në 9 vitet e fundit. Kështu, nëse gjatë periudhës 1997- 2013 janë ndërruar 12 ministra të Jashtëm, pra një në çdo 1 vit e gjysmë, gjatë qeverisjes socialiste 2013–2025 janë ndryshuar plot 6 ministra të Jashtëm! Ndërsa vetëm në 5–6 muajt e fundit, shtator 2025 – mars 2026 u ndërruan 3 ministra të Jashtëm po nga PSja!

Për pasojë, si shumë kolegëve të tjerë, midis viteve 2005-2013 kur punoja në Ministri në Tiranë e në Bruksel, na takoi të kishim plot 7 ministra të Jashtëm! Në një rast, brenda më pak se një viti, në Bruksel ne kërkuam nga ministri i Jashtëm belg që të takohej me tre ministra të Jashtëm të ri të vendit tonë!

E keqja tjetër është se këto ndërrime shoqërohen edhe me ndryshime tejet të shpejta drejtorësh dhe deri në nivel referentësh në Ministri. Kështu, në Drejtorinë që mbulonte Belgjikën dhe Luksemburgun në MPJ-në tonë në vitet 2013 – 2015 patëm 6 referentë, kur zakonisht ata qëndrojnë të paktën 4 – 5 vjet në atë detyrë!

Ata që nuk e njohin dhe janë jashtë sistemit diplomatik mund të mos i kuptojnë pasojat negative të këtyre ndryshimeve, por për ne të tjerët që kemi punuar atje me dekada dhe për ekspertë të fushës është fare e qartë se ajo çka ndodh si pasojë e këtyre lëvizjeve të shpeshta është që sapo kryediplomati i një vendi përshtatet në punë dhe i vë gjërat në vijë për të realizuar misionin dhe vizionin e vet diplomatik, atij i thonë “ik” dhe vjen tjetri; për pasojë ndërpriten edhe pse përkohësisht procese të dobishme afatmesme dhe shumë gjëra bëhen pothuajse nga fillimi.

Nga ana tjetër, protokolli në qendër dhe përfaqësitë tona diplomatike ngarkohen me letra, mesazhe, kërkesa për takime dhe vizita prezantuese në metropolet ndërkombëtare, ndryshohen stafet e ngushta etj.. Është vërtet një periudhë e vështirë, me humbje kohe dhe me ngarkesa shtesë për personelin diplomatik, brenda dhe sidomos jashtë vendit.

Natyrisht, jeta dhe proceset ecin, sepse nuk varen vetëm nga një ministër i Jashtëm, por, gjithsesi, krahas imazhit jo të këndshëm, askush nuk i di efektet pozitive përkatëse nëse ministrat e jashtëm nuk do të ndryshoheshin aq shpesh. Ndërsa vazhdimi dhe kryerja deri në fund të paktën e një mandati 4-vjeçar është faktor pozitiv për çdo lloj qeverie, si katalizator dhe nxitës i proceseve diplomatike.

Gjithashtu, sidomos në diplomaci ka shumë rëndësi edhe nga ana njerëzore që partnerët tanë të huaj, sidomos ata të NATOs dhe BE-së të takohen me fytyra të njëjta sa më të gjatë, pasi kjo shton besueshmërinë dhe efektivitetin e punës. Gjithsesi, për të mbyllur me lajm të mirë këtë shkrim, zonjën Spiropalin e zëvendësoi një diplomat dhe ambasador brilant karriere, zoti Ferit Hoxha, i cili dy vitet e fundit shërbeu si ambasadori ynë në BE. Siç e kam përmendur edhe në shkrime të mëparshme dhe në librin “Negociatat – sfida e fundit e integrimit” (prill 2024) Ferit Hoxha është diplomati dhe ambasadori ynë i karrierës më i plotësuari. Faktet flasin më shumë se fjalët.

Gati 35 vite në shërbimin diplomatik të karrierës, i vetmi që i ka kaluar të gjitha shkallët – specialist në ministri, diplomat në Nju Jork, drejtor, drejtor i Përgjithshëm Politik, Sekretar i Përgjithshëm dhe 6 herë ambasador me nga dy mandate në Bruksel, në Nju Jork dhe në Paris. Dhe në momente të veçanta historike për politikën dhe diplomacinë tonë. Në nëntor 1998 filloi në Bruksel si shefi i Misionit tonë pranë BE-së, duke çelur negociatat e Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, ndërsa në dy vitet e fundit i rikthyer në Bruksel u çelën brenda 16 muajve vitit 2025 të gjashtë grup-kapitujt e negociatave të anëtarësimit në BE.

Rikujtojmë se në vitin 2023 – 2024 Ferit Hoxha ishte kreu i Përfaqësisë sonë të zgjeruar në Nju Jork, kur Shqipëria ishte anëtare e përkohshme e KS të OKB-së dhe e kryesoi atë dy herë nga një muaj, me një imazh tejet pozitiv për vendin tonë.

Gjatë kohës kur ai ishte Sekretar i Përgjithshëm në Ministri, u dorëzua kërkesa jonë zyrtare për anëtarësimin në BE (prill 2009) filloi dhe u realizua në dhjetor 2010 liberalizimi i vizave me BE-në, si dhe u shfaq në shumë forma dhe formate mbështetja për Kosovën me rastin e shqyrtimit pavarësisë së saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Këto dhe të tjera fakte dhe konstatime i kam përjetuar edhe vetë mbasi në vitet 1998 – 2001 isha bashkëpunëtori më i afërt i ambasadorit Ferit Hoxha në Misionin tonë pranë BE-së. Po ashtu, gjatë viteve 2005 – 2009 në Ministri, ku ai ishte sekretar i Përgjithshëm, ndërsa në vitet 2015–2018 isha diplomat në Bruksel kur ai ishte Drejtor Politik në MPJ; në muajin prill 2016 bashkë me ambasadoren e atëhershme në Bruksel, Suela Janina ishim në Bruksel dhe në Luksemburg në Konsultimet dypalëshe diplomatike, të cilat nga ana jonë i kryesoi me vlerësimet më të larta ambasadori Ferit Hoxha, si drejtor politik në MPJ. Vetëkuptohet që gjatë këtyre mbi 35 vite në shërbimin tonë diplomatik ai ka kryesuar edhe disa procese jetike, delikate dhe sfiduese me rëndësi për vendin, siç ishte edhe Marrëveshja e diskutueshme e Detit me Greqinë, e shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese. Mirëpo, analiza tërësore e faktit të mësipërm nuk mund të bëhet “bardh e zi”, ajo kërkon që të merren në konsideratë një sërë aktorësh dhe faktorësh të tjerë madhorë, si kushtet dhe rrethanat e atëhershme, kërkesat gjeopolitike, baza e nisjes dhe sidomos roli teknik dhe zbatues i vendimeve politike nga ana e drejtuesve të diplomacisë në këto procese dhe negociata komplekse.

Së fundi dhe mbi të gjitha është tejet pozitive që zoti Ferit Hoxha bëhet i pari ambasador karriere, i cili vjen në krye të dikasterit përkatës; një avantazh i madh, mbasi ai e njeh më mirë se kushdo tjetër makinerinë dhe teknologjinë diplomatike, pjesën më të madhe të trupës sonë diplomatike, proceset dhe etapat e ndryshme historike, të cilat në parim premtojnë për një sukses edhe në këtë mision dhe funksion të tij të ri. Edhe pse kjo siç u pa edhe më lart është në varësi të aktorëve dhe faktorëve të tjerë madhorë politikë me të panjohurat dhe të papriturat e tyre, hera herës edhe të pashpjegueshme.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit