Në kuadër të sesionit të 70-të të Komisionit për Statusin e Grave (CSW70) në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Prof. Evis Sala, mori pjesë në një ngjarje të rëndësishme të organizuar nga Shqipëria dhe Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), në bashkëpunim me Poloninë. Tema e këtij eventi ishte “Ligjet për Barazinë Gjinore si përshpejtues të pjesëmarrjes së barabartë dhe qeverisjes së ndjeshme ndaj gjinisë.”
Gjatë fjalës së saj, Ministrja Sala theksoi se legjislacioni për barazinë gjinore është një element kyç i forcimit të institucioneve dhe i zhvillimit të qeverisjes demokratike. Ajo prezantoi Ligjin e ri për Barazinë Gjinore të miratuar nga Shqipëria në vitin 2025, i cili ka si qëllim adresimin e boshllëqeve të mëparshme dhe përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional.
Ministrja e Shëndetësisë e vlerësoi ligjin si një hap të rëndësishëm drejt një barazie të plotë gjinore dhe nënvizoi se përfaqësimi minimal 30% i grave në pozitat e zgjedhura dhe të emëruara është tashmë një detyrim ligjor. Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e njohjes dhe vlerësimit të punës së papaguar të grave, si një faktor kyç në përfshirjen e tyre në jetën ekonomike dhe publike.
Në përfundim, Ministrja Sala vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe organizatat e shoqërisë civile, veçanërisht me UN Women, për ndihmën e dhënë në hartimin dhe avancimin e këtij ligji.
/5pyetjet.al









