Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, përmes një postimi në faqen e tij facebook ka publikuar pamjet ku ka inspektuar nga afër punimet në projektin e rrugës Prishtinë–Podujevë, duke kërkuar rritje të ritmit të punimeve dhe përmbushje të obligimeve kontraktuale me seriozitet maksimal.
Postimi i Bashës
Pas trajtimit të hollësishëm të projektit të rrugës Prishtinë- Podujevë, dje bashkë me zyrtarë të administratës dhe mbikqyrësin e punimeve, gjatë gjithë ditës inspektova në terren të gjitha segmentet e këtij projekti.
Në secilin segment takuam përfaqësuesit e operatorëve ekonomikë me ekipet e punës për të vlerësuar nga afër progresin e punimeve. Me këmbëngulje dhe vendosmëri kërkova afatizim konkret për çdo fazë të punës dhe rritje të kapaciteteve në terren e shtim të ritmit të punimeve.
Pritjet tona janë të qarta. Do të kërkojmë seriozitet të plotë në zbatim dhe përmbushje të çdo obligimi kontraktual me përgjegjësi, kompetencë dhe cilësi maksimale.