Një zjarr ka shpërthyer këtë të diel në ullishtet e fshatit Duhanas në Berat, duke përfshirë një pjesë të kodrës me pemë ulliri dhe duke u përhapur me shpejtësi në zonë.
Zjarri ka nisur në pjesën fundore të kodrës dhe, i favorizuar nga era, është përhapur në sipërfaqen e mbjellë me ullishte. Flakët po përparojnë gjithashtu drejt një zone të gjelbëruar me pisha.
Tymi dhe flakët janë parë edhe nga banorët e zonave përreth, veçanërisht në lagjen Uznovë të Beratit. Forcat e repartit zjarrfikës dhe efektivët e policisë janë angazhuar në vendngjarje dhe po punojnë për lokalizimin dhe shuarjen e flakëve.
Deri tani, nuk dihen ende shkaqet e zjarrit, ndërsa autoritetet po verifikojnë nëse bëhet fjalë për një zjarrvënie të qëllimshme apo një incident të shkaktuar nga pakujdesia.









