Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e ndodhur në lagjen “Besëlidhja” të Lezhës. Policia ka zbardhur autorësinë e shpërthimit me eksploziv të makinës agjentit të policisë, Gent Gjetja..
Hetuesit arritën të identifikojnë dhe të vënë në pranga autorin e dyshuar, një 32-vjeçar Fatjon Rrika, i cili rezulton me precedentë penalë të mëparshëm në Itali për vjedhje me armë.
Zbulimi i autorit u bë i mundur pas një analize të hollësishme të pamjeve filmike nga kamerat e sigurisë në disa akse rrugore, të cilat ndihmuan policinë të gjurmonte lëvizjet e tij.
32-vjeçari u kap në fshatin Zhejë të Kurbinit, teksa udhëtonte pikërisht me të njëjtin motor që kishte përdorur ditën kur vendosi lëndën plasëse në automjetin e efektivit.
Gjatë kontrolleve në banesën e të arrestuarit, policia gjeti edhe një armë gjahu pa leje, për të cilën ka nisur procedimi penal ndaj babait të tij 66-vjeçar.









