Zëvendëskryeministri i Kosovës, Glauk Konjufca, u takua me ambasadorin e Bullgarisë në Kosovë, Hristo Kraevski, për të diskutuar mbi thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Gjatë takimit, Konjufca theksoi angazhimin e Kosovës për forcimin e marrëdhënieve bilaterale, ndërsa ambasadori Kraevski e uroi atë për mandatin e ri dhe shprehu gatishmërinë e Bullgarisë për të kontribuar në avancimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.
Në fokus të diskutimeve ishte forcimi i bashkëpunimit në fushat e sigurisë dhe politikës së jashtme, dy aspekte që konsiderohen kyçe për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit.
Kraevski e ftoi gjithashtu Konjufcën të marrë pjesë në takimin e ardhshëm të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), që do të mbahet në Sofje në Qershor 2026, duke u bërë një mundësi për avancimin e mëtejshëm të dialogut dhe bashkëpunimit në nivel rajonal.









