Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për stërvitjet e ushtrisë serbe në afërsi të kufirit, duke shprehur shqetësimin për kërcënimet e mundshme ndaj sigurisë rajonale.
Ai ka kërkuar që komuniteti ndërkombëtar të ndërmarrë hapa konkretë për të ndalur këtë agresion dhe për të mbrojtur paqen në Ballkan.
“Këto provokime në afërsi të brezit kufitar në Karaçevë nga njësia e brigadës 63 e parashutistëve të Serbisë, përmes stërvitjeve me helikopterë H145M dhe kërcënimeve me parashutë disa metra larg kufirit me Republikën e Kosovës, përbëjnë një shfaqje të rrezikshme të agresionit. Kjo shfaqje bëhet edhe më alarmuese kur kujtojmë se e njëjta njësi ka trajnuar dhe mbështetur grupin e kriminelit Milan Radoiçiq, të cilët realizuan sulmin agresor e terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, kur vranë rreshterin policor, Afrim Bunjakun – heroin e Kosovës”.
“Beogradi po e shfrytëzon këtë moment për ta sfiduar gatishmërinë e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë dhe në përgjithësi stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, sipas interesave të Serbisë dhe aleatëve të saj Rusisë dhe Iranit, që duan të kenë trazira, konflikte dhe paqëndrueshmëri gjithandej”.









