Në kuadër të mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste, zhvilluar në Lalez të Durrësit, kryeministri Edi Rama ka bërë sërish të qartë pozicionin e tij lidhur me pavarësinë e sistemit të drejtësisë.
Gjatë fjalës së tij, Rama ka theksuar se, pavarësisht aludimeve se mazhoranca po kontrollon pushtetin gjyqësor, drejtësia në Shqipëri është tashmë e pavarur dhe se reforma në drejtësi është një sukses i Partisë Socialiste.
“Ne nuk kemi kapacitetin të ndërhyjë në këtë zinxhir”, tha kreu i qeverisë referuar aludimeve se mazhoranca po kontrollon pushtetin gjyqësor. “Mund të thuhet gjithçka, por askush nuk mund të japë fakte për mungesën e pavarësisë së drejtësisë. Është e pavarur dhe kjo është pak, patjetër që është pak, se nuk është e mjaftueshme për të garantuar një demokraci funksionale dhe shtet të së drejtës, sepse drejtësia duhet të jetë e paanshme, profesionale. Aq më tepër, që drejtësia jonë është pavarësuar në një shtrat të përgjakur dhe të ndyrë të drejtësisë që për 100 e kusur vite nuk ka qenë e lirë apo e pavarur”, tha ai.









