Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka ngritur një alarm për situatën e demokracisë në Shqipëri, duke e cilësuar vendin si një autokraci elektorale.
Ai bazohet në raportin ndërkombëtar të V-Dem (Varieties of Democracy), i cili mat nivelin real të demokracisë, dhe ka theksuar se situata e demokracisë në Shqipëri është shumë më e rëndë se sa është perceptuar deri tani.
“Shqipëria nuk është më thjesht një demokraci e dobët. Shqipëria ka rrëshqitur në autokraci elektorale, aty ku zgjedhjet janë fasadë dhe shteti nuk është më i qytetarëve, por i partisë. Kur partia dhe shteti bëhen një, vota kthehet në formalitet, administrata në vegël presioni, institucionet në zgjatim të pushtetit dhe ligji në maskë. Kjo është fytyra e një regjimi që nuk kërkon më të bindë, por të kontrollojë. Shqipëria sot nuk ka nevojë për më shumë propagandë. Ka nevojë të çlirohet nga kapja e shtetit nga partia.”









