Sot shënohet 27-vjetori i fillimit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, një ngjarje që ndryshoi rrjedhën e historisë në rajon. Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka theksuar rëndësinë e këtij momenti dhe ndikimin e tij në të ardhmen e Kosovës.
“27 vjet më parë, bota zgjodhi të mos qëndronte indiferente”, shkruan Hoxha, duke vlerësuar se ky ishte një moment kur “dinjiteti njerëzor mbizotëroi mbi frikën” dhe kur veprimi ndërkombëtar bëri diferencën për jetët e pafajshme.
Ai kujton gjithashtu rolin e Shqipërisë gjatë asaj periudhe, duke theksuar hapjen e shtëpive dhe institucioneve për pritjen e refugjatëve, si një akt solidariteti dhe humanizmi. Sipas tij, sot Kosova është një shtet i lirë dhe i pavarur, që ka bërë përparim të qëndrueshëm në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe konsolidimin e rolit të saj në rajon.
Hoxha thekson se Shqipëria, si anëtare e NATO-s, mbetet e përkushtuar ndaj vlerave të Aleancës, e cila sipas tij “ndali vdekjen dhe riktheu shpresën, dinjitetin dhe lirinë në Kosovë”. Rruga e Kosovës, sipas tij, vazhdon drejt integrimit në familjen euro-atlantike, e mbështetur mbi parimet e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut.









