Një tragjedi ka ndodhur sot në Roskovec të Fierit, ku 80-vjeçari Shefi Rrapaj ka qëlluar me armë gjahu bashkëshorten e tij 75-vjeçare, Dashuri Rrapaj, dhe më pas ka marrë jetën e tij.
Ngjarja ka tronditur të gjithë zonën, pasi çifti njihej për jetesë të qetë dhe të respektuar. Banorët e lagjes shprehen të habitur dhe të shokuar, duke theksuar se nuk kishin pasur njohuri për ndonjë problem serioz mes tyre.
“Shefiti ishte një njeri shumë i qetë dhe nuk kishte pasur histori të përdorimit të alkoolit. E gjithë kjo ka ndodhur pa u kuptuar nga ne. Mbase ardhja e djalit të vogël nga Greqia mund të ketë ndikuar, por nuk di të them më shumë, pasi nuk kam qenë aty për të parë se si ndodhi. Ata kanë jetuar për 20 vite në lagjen tonë, gjithmonë të respektuar nga të gjithë. Zonja, Dashuria, ishte shumë e mirë, e kisha si motrën time. Ata merreshin me pulat, jetonin të dy, dhe gjithçka dukej normale. E dija që kishin pasur një grindje para katër ditësh, por nuk e di pse ndodhi dhe nuk kam qenë i pranishëm. Asnjëherë nuk kisha pasur dyshime për ndonjë problem serioz mes tyre. Më vjen shumë keq për këtë ngjarje tragjike, sepse ata nuk kishin pasur kurrë probleme me askënd tjetër në lagje. Nuk e dija që kishte armë në shtëpi dhe nuk kam mundur ta besoj se një ngjarje e tillë ka ndodhur,” tha fqinji i çiftit.









