Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi dekretin e Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit dhe e riktheu procesin e zgjedhjes së presidentit.
Abdixhiku ka theksuar se LDK respekton plotësisht vendimin e gjykatës dhe e konsideron atë si një udhërrëfyes për veprimet e ardhshme politike.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka sjellë qartësi të nevojshme në një moment të rëndësishëm institucional për vendin. Lidhja Demokratike e Kosovës e respekton plotësisht këtë vendim dhe e konsideron atë udhërrëfyes për veprimet e mëtejshme politike. Ky vendim e rikthen procesin në Kuvendin e Republikës dhe u jep deputetëve edhe një afat për të përmbushur detyrimin për zgjedhjen e Presidentit,” ka shkruar Abdixhiku në reagimin e tij.
Ai ka shtuar se përgjegjësia kryesore për përfundimin e këtij procesi mbetet te shumica parlamentare, ndërsa LDK është e gatshme të kontribuojë në çdo përpjekje serioze për zgjidhje. Abdixhiku gjithashtu ka theksuar se veprimet e Presidentes kanë qenë në funksion të ruajtjes së rendit kushtetues dhe shmangies së vakumit institucional.
/5pyetjet.al









