Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar një kërkesë për interpelancë urgjente me Ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, lidhur me situatën në Policinë e Shtetit dhe shqetësimet për korrupsionin.
Në dokumentin zyrtar, drejtuar Kryetarit të Kuvendit, PD i referohet gjetjeve të Raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2025. Sipas këtij raporti, pavarësisht përpjekjeve të ndërmarra, Policia e Shtetit vijon të mbetet e ekspozuar ndaj korrupsionit.
Sipas PD, këto problematika janë konfirmuar edhe në raportin e Komisionit Europian për vitin 2024, ku theksohet se Policia e Shtetit mbetet e ndjeshme ndaj korrupsionit dhe se llogaridhënia vijon të jetë e dobët.
Në kërkesën për interpelancë, opozita kërkon shpjegime nga Ministri i Brendshëm për masat konkrete që janë marrë për të luftuar korrupsionin në radhët e policisë, për ecurinë e procesit të vettingut dhe për garantimin e sigurisë së gazetarëve.










