Kryeministri Edi Rama deklaroi se ekonomia e vendit ka shënuar përmirësime, duke reflektuar në rritjen e pagave në sektorin publik dhe privat.
Ai theksoi gjithashtu se në fokus mbeten pensionet dhe menaxhimi i situatave që ndikojnë çmimet, si zhvillimet ndërkombëtare në tregun e naftës.
“Na janë krijuar mundësitë dhe kjo do të thotë që funksionon ekonomia dhe e kemi mësuar se ajo nuk varet vetëm nga çfarë bëjmë ne këtu, por edhe nga çfarë ndodh jashtë, si pandemia apo lufta në Ukrainë. Po e shikojmë sërish me çmimin e naftës që ndikohet nga zhvillimet në Iran. Nga ana tjetër, ne nuk kemi qëndruar duarkryq, por kemi marrë masa që të lehtësojmë qytetarët dhe të mbajmë ekonominë në këmbë. Për naftën po përgatitemi për një ndryshim të madh, ku shteti do të hyjë për të garantuar rezervat dhe për të ndikuar që çmimet të jenë në parametra të arsyeshëm”, u shpreh Rama.









