Nëse është e përsëritur deri në bezdi shprehja e famshme e Çurçillit që “Ballkani konsumon më shumë histori se munnd të prodhojë” (ndonjëherë i atribuohet edhe Bismarkut) apo ajo tjetra që është “fuçi baruti”, ka një tjetër shprehje po aq të njohur për një rajon tjetër traumatik që thotë “Lindja e Mesme nuk prodhon histori, ajo prodhon tërmete.” Por tashmë situata nuk është thjesht e tensionuar, është në fazën e rishkrimit total të hartës gjeopolitike dhe jo vetëm të rajonit por ndoshta të mbarë botës. Në fund të fundit, gjeopolitika është si shah, por në këtë rajon, shpesh dikush e përmbys tavolinën në mes të lojës. Kjo sjell kriza të cilat shpesh kapërcejnë kufijtë rajonalë dhe shndërrohen në kriza të mirëfillta ekonomike, financiare dhe gjeopolitike siç ka ndodhur në vitet 70-të, 80-të të shekullit të kaluar apo disa herë në vitet 2000 e këndej.
Irani pas vrasjes së Khameneit dhe neutralizimit të thuajse gjithë elitës politike dhe ushtarake të tij ka shtuar kërcënimet duke mbyllur Hormuzin, duke goditur me mijëra raketa dhe dronë gjithë vendet e rajonit pa diskriminuar pozitivisht as ata që i ka pasur aleatë në të shkuarën ose shtete neutrale apo duke aktivizuar Huthitë e Jemenit për të shënjestruar anijet që vinin përmes ngushticës Bab al-Mandab në skajin jugor të Detit të Kuq, midis Jemenit dhe Bririt të Afrikës, duke rritur tmerrësisht kostot jo vetëm për vendet e rajonit por për gjithë botën. Dhe jo vetëm të naftës dhe gazit natyror, por parashkimet janë për një gamë shumë më të gjerë artikujsh, përfshirë plehrat kimikë që kërcënojnë rritje galopante të çmimeve të ushqimeve etj.
Nga ana tjetër, mijëra marinsa sapo kanë zbarkuar në Lindjen e Mesme, njoftoi së fundmi ushtria amerikane, të tjerë janë rrugës, të shoqëruar nga parashutistë elitarë të Ushtrisë Amerikane dhe anije që transportojnë pajisje për zbarkime amfibe në brigjet iraniane. Vendosja e forcave shtesë, të specializuara në kapjen e shpejtë të pjesëve të territorit dhe në bastisje, shihet gjerësisht si përgatitje e mundshme për operacione të synuara në tokën iraniane, duke përfshirë ishujt e saj në Ngushticën e Hormuzit dhe Gjirin Persik, në vend të një pushtimi në shkallë të plotë. Presidenti Trump ndërkohë ka thënë se “nuk po vendos trupa askund”, por gjithashtu u tha gazetarëve se nuk do të zbulonte publikisht asnjë operacion të ardhshëm tokësor, nëse ai jep dritën jeshile për trupat amerikane që godasin tokën iraniane. Por potenciali për thellimin e përfshirjes së SHBA-së në Lindjen e Mesme ka ndarë radhët e lëvizjes MAGA, për shkak se perspektiva e humbjes së më shumë jetëve amerikane në një luftë të huaj sjell në mendje fantazmat e Luftës së Irakut dhe luftimeve të zgjatura në Afganistan që u mbyllën me zëvendësimin e talibanëve po me talibanët. Operacionet tokësore pothuajse me siguri do të sillnin shumë më tepër vdekje trupash, përveç 13 personave personel ushtarak amerikan të vrarë tashmë muajin e kaluar. Ndërkohë që të paktën 300 janë plagosur.
Presidenti Trump, ndërsa këmbëngul se SHBA-të po negociojnë me Iranin, ka kërcënuar me sulme, duke thënë se SHBA-të “mund të pushtojnë ishullin Kharg në çdo kohë”. Ishulli i vogël, i vendosur vetëm 15 milje larg kontinentit, është thelbësor për ekonominë tashmë të lëkundur të Iranit, duke përbërë 90 përqind të eksporteve të naftës së Teheranit. Forcat amerikane e bombarduan atë më parë këtë muaj, duke synuar vendet e minierave detare. Ekspertët ushtarakë thonë gjithashtu se trupat amerikane mund të pushtojnë ishullin Qeshm, në jug të Kharg dhe një nga disa ishuj në Ngushticën e Hormuzit. Mendohet se Qeshm strehon rezerva raketash, minash dhe dronësh kundër anijeve në një rrjet të gjerë nëntokësor. Pushtimi i territorit iranian në Ngushticën e Hormuzit ose në Gjirin Persik mund ta detyrojë Teheranin të lehtësojë kontrollin e tij mbi rrugën ujore, një rrugë jetësore përmes së cilës zakonisht kalon tranzit 20 përqind e naftës dhe gazit botëror. Që nga fillimi i sulmeve SHBA-Izrael ndaj Iranit më 28 shkurt, një nga kundërmasat më efektive të Iranit ka qenë bllokimi i çisternave dhe anijeve të mallrave nga kalimi i sigurt nëpër ngushticë.
Pengimi i rrjedhave normale nëpër ngushticë ka bërë që çmimet globale të naftës dhe gazit të rriten, duke shkaktuar shqetësime mbi furnizimet me karburant dhe duke shkaktuar kaos në tregjet e aksioneve. Teherani thotë se anijet që nuk janë të lidhura me SHBA-në, Izraelin ose aleatët e tyre mund të udhëtojnë pa u dëmtuar. Pushtimi i Ishullit Kharg do t’i jepte gjithashtu SHBA-së kontrollin mbi eksportet shumë të rëndësishme të naftës së Iranit. Edhe pse nuk është marrë ende një vendim përfundimtar, Pentagoni po përgatitet për javë të tëra operacionesh në terren në Iran, raportoi prestigjiozja Washington Post në fund të javës së kaluar. Forcat Speciale Amerikane ka të ngjarë të udhëheqin sulme së bashku me trupat e këmbësorisë në vend që të kryejnë një pushtim në shkallë të plotë, thanë zyrtarë anonimë amerikanë. Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se puna e Pentagonit ishte “të bënte përgatitje në mënyrë që t’i jepte komandantit suprem opsionalitetin maksimal,” ndërsa shtoi se “kjo nuk do të thotë që presidenti ka marrë një vendim.” Marinsat amerikanë në bordin e USS Tripoli mbërritën në Lindjen e Mesme të premten, tha Komanda Qendrore Amerikane të shtunën. Mijëra marinsa të tjerë janë në rrugë nga Bregu Perëndimor i SHBA-së, dhe Pentagoni po dërgon parashutistë nga Divizioni i 82-të Ajror i Ushtrisë Amerikane në rajon.
Janë disa skenarë se si mund të vijojnë apo përshkallëzohen ngjarjet dhe situatat në rajon. Në periudhën afatshkurtër, pritshmëria është që Irani të kalojë nga një teokraci klasike në një autokraci ushtarake të pastër. Me ngritjen e Mojtaba Khamenei-t në pushtet (mes dyshimeve për legjitimitetin e tij), pushteti real ka kaluar plotësisht te Garda Revolucionare (IRGC). Në fakt britanikja The Telegraph në një artikull argumentues javën e kaluar, tregonte me fakte që kreu i Gardës Revolucionare Ahmad Vahid është në fakt njeriu më i pushtetshëm në Iran, i cili kontrollon fije të ndryshme që lidhin ushtrinë, milicitë, spiunazhin dhe kundër-spiunazhin me politikë, diplomacinë dhe asetet ekonomike dhe financiare. Protestat që nisën në dhjetor 2025 do të vazhdojnë. Skenari më i mundshëm është një shtypje brutale që do të rrisë izolimin ndërkombëtar, por do të ruajë bërthamën e regjimit përkohësisht. Për të shmangur vëmendjen nga dobësia e brendshme, Teherani do të aktivizojë “Unazën e Zjarrtë” (Houthit në Detin e Kuq dhe mbetjet e Hezbollahut). Priten goditje asimetrike ndaj infrastrukturës energjetike në Gjirin Persik si hakmarrje ndaj sanksioneve të SHBA-së. Në përgjithësi pritet që elita iraniane do ta trajtojnë vendin si një “garnizon” për të mbijetuar ndaj bombardimeve të SHBA-së dhe Izraelit. Nga ana tjetër, meqenëse Irani nuk mund të fitojë një luftë konvencionale ajrore, ata do të vazhdojnë “asimetrinë” dhe eskalimin horizontal. Priten bllokime të herëpashershme të Ngushticës së Hormuzit në linjë me kërkesën eksplicite për kontrollin e plotë të kësaj Ngushtice nga Irani dhe vendosja e një takse të përheshme mbi anijet ndërkohë që burime brenda Teheranit flasin edhe për kërkesa provokative që nafta të paguhet me yuan kinez, për të detyruar Pekinin të ndërhyjë si ndërmjetës. Por ana tjetër e medaljes është që me inflacionin që ka kapur shifra marramendëse, sfidat më të mëdha nuk do të vijnë nga raketat e jashtme, por nga uria e brendshme. “Kryengritja e Dimrit” do të vazhdojë, duke e detyruar regjimin të zgjedhë mes represionit total ose lëshimeve taktike.
Në periudhën afatmesme pritet të përcaktohet nëse Irani mbetet një shtet unitar apo kthehet në një zonë të madhe konflikti të ngrirë. Regjimi mbijeton i izoluar, i sanksionuar deri në palcë, por i mbrojtur nga Rusia dhe Kina. Irani bëhet një eksportues nafte në tregun e zi, ndërsa programi bërthamor kalon tërësisht “nëntokë” (underground) si mjeti i vetëm i mbetur për sigurimin e jetës së liderëve. Nga ana tjetër, pritet rënia e “Boshtit të Rezistencës”: Hezbollahu dhe Houthis do të përballen me një krizë ekzistenciale. Pa paratë e Teheranit (të cilat do të shkojnë për mbijetesën e brendshme), këto grupe do të kthehen në aktorë lokalë mafiozë ose do të detyrohen të bëjnë pakte me qeveritë e tyre respektive. Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të lodhura nga raketat në portet e tyre, mund të kërkojnë një pakt të ri të sigurie që anashkalon Perëndimin, duke përdorur Kinën si garantues të vetëm të stabilitetit. Kina do të kalojë nga një partner tregtar në një garantues sigurie për rrugët detare, duke zëvendësuar pjesërisht prezencën amerikane nëse Uashingtoni vazhdon të theksojë kërcënimin e ekspansionit kinez në Azinë Lindore. Por mundet edhe e kundërta, që vende si Arabia Saudite dhe Emiratet mund të përshpejtojnë integrimin me sistemet e mbrojtjes të SHBA-së duke u kthyer në një bosht të ri sigurie në Lindjen e Mesme që natyrisht përfshin edhe Turqinë si vendi me ushtrinë e dytë më të madhe në NATO dhe urëlidhëse e rëndësishme në Mesdhe dhe me Evropën. Ndërkohë Lindja e Mesme do të përballet me “luftërat e ujit”. Irani dhe Jordania janë në prag të kolapsit hidrik. Kjo do të krijojë valë të reja migracioni dhe mundësi për destabilizim që asnjë ushtri nuk mund t’i ndalë.
Në horizontin e vitit 2030-2035, Irani siç e njihnim ne nuk do të ekzistojë më. Nëse regjimi kolapson nën peshën e vet, nuk do të shohim domosdoshmërisht një demokraci liberale perëndimore, por me gjasa një Iran akoma më nacionalist. Një Iran që kërkon vendin e vet si fuqi rajonale, por i fokusuar te ekonomia dhe jo te ideologjia fetare. Rreziku i madh është fragmentimi etnik, ku ka një prezencë të konsiderueshme të pakicave si Kurdët, Azerët, Baluchët. Gjithashtu me gjasa do të shohim një korridor ekonomik Indi-Lindje e Mesme-Europë (IMEC) të konsoliduar, duke e lënë Iranin jashtë nëse nuk ndryshon kursin politik. Nga ana tjetër, skenari më optimist është një Iran që do të pësojë një transformim rrënjësor drejt një shteti nacionalist laik. Demografia e re iraniane, e arsimuar dhe pro-perëndimore, do ta bëjë të pamundur mbajtjen e teokracisë. Gjithashtu një Iran që ri-integron rezervat e tij gjigante të gazit në tregun global, duke u bërë rivali kryesor ekonomik i Rusisë në furnizimin e Evropës dhe Azisë. Pa kërcënimin ideologjik të Iranit, “Marrëveshjet e Abrahamit” do të jenë thjesht hapi i parë drejt një bashkimi ekonomik të Lindjes së Mesme të fokusuar te teknologjia dhe energjia. Kjo do të kërkonte përmbysje të brendshme nga një regjim teokratik ku ideologjia përzihet rrezikshëm me doktrinën fetare për të prodhuar akte destabilizuese në rajon dhe më gjerë drejt një regjimi nacionalist të militarizuar pasi është thuajse e pamundur të imagjinohet një regjim demokratik përgjatë dekadës së ardhshme, pavarësisht dëshirës që mund të kenë segmente të gjera shoqërore brenda Iranit, apo vendet e perëndimit dhe më gjerë. Natyrisht është e vështirë të bësh parashikime përfundimtare për Iranin, Lindjen e Mesme dhe balancat gjeopolitike aq më tepër kur këto kapërcejnë një dekadë nga tani, por gjeografia, burimet, rrugët e transportit janë natyrisht përcaktuese edhe për fatet e zhvillimeve politike të brendshme por natyrisht edhe për implikimet gjeostrategjike









