Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari ka zhvilluar sot në 30 mars një debat të ashpër me deputetin e PD-së Klevis Balliu.
Lamallari tha se është një turp për opozitën, që në protesta shkel flamurin kombëtar. Ai tha se është turp gjithashtu nga opozita, që hedh baltë mbi drejtorin e Policisë, në ditën e parë që ai u zgjodh.
“Sot u emërua Skënder Hita dhe në ditën e parë, opozita nisi baltën ndaj tij. Ata harrojnë se Hita nuk i shërben as mazhorancës dhe as opozitës, por shtetit shqiptar. Hitën është një person me integritet dhe ka spikatur roli dhe kontributi që ka dhënë në Polici. Opozita ka mision vetëm të hedhë baltë dhe të bëjë dhunën si instrument politik. Këto akuza i bëjnë dëm Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, pasi jemi në fazë kritike për integrimin. Që kur Balliu u thirr bukurosh, vazhdon të përdorë një retorikë bajate. Turpi qoftë me ju, që hidhni poshtë edhe flamurin kombëtar në protestat me molotovë”, tha Lamallari.
Ndërsa, e menjëhershme ka qenë përgjigja nga Balliu. Ai i foli po ashtu ashpër, duke i thënë Lamallarit se nuk di nga lidhet gomari e se vepron në jetën e tij vetëm me urdhra.
“Unë e dija para tre ditësh se kush zgjidhet drejtor Policie. Ti mban një karrige se nuk di nga lidhet gomari ti. Xhelal Mziu u godit me shkop gome në mes të rrugës. Ti nuk flet dot, sepse ti vepron me butona”, u shpreh Balliu.
Sot më 30 mars Skënder Hita u zgjodh në krye të Policisë së Shtetit. Hita ia doli që të jetë fitues, ndërsa ishte në garë me 13 drejtues të tjerë.
Lajmin për zgjedhjen e tij gjatë ditës së sotme e ka bërë ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, duke e cilësuar Hitën si një nga figurat më të spikatura të uniformave blu në vend. Emrat që kandiduan më herët për detyrën ishin: Afrim Tafa, Alfred Çepe, Arjanit Arapi, Elidon Çela, Gentjan Berberi, Gentjan Shehaj, Idajet Faskaj, Lorenc Panganika, Neritan Nallbati, Pëllumb Seferi, Rebani Jaupi, Saimir Boshnjaku dhe Tonin Vocaj.
Në nisje të procesit, ishin 16 aplikime, por dy prej grave që aplikuan, Ejona Gurabardhi dhe Suela Sulkaj, u skualifikuan pasi nuk plotësonin kriteret./ Klan.tv









