Gjykata e Posaçme zëvendësoi masat e sigurisë së arrestit në shtëpi për katër prej të pandehurve të dosjes “Bankers”. Për Leonidha Çobon, Hong Ping Xiao, Ardit Kero dhe Lianyi Wang u vendos masa e sigurisë ndalim i daljes jashtë vendit dhe detyrim për t’u paraqitur.
Kërkesa për zëvendësimin e masave të sigurisë u bë nga vetë dy prokurorët e posaçëm Enkelejda Millonai dhe Anita Jella për shkak se i ka kaluar afati 9 mujor i paraburgimit ndërkohë që vetë avokatët kërkuan shuarjen totale të masës.
Mbi këta katër persona rëndojnë akuzat “Krijim i skemave mashtruese lidhur me TVSH-në”, “Fshehje e të ardhurave”, “Pastrim i produkteve të veprës penale”, “Shpërdorim detyre” dhe “Moskryerje e detyrave nga organet tatimore”.
Operacioni në “Bankers Petroleum”, erdhi pasi kompania, e cila prej më shumë se 20 vitesh nxjerr naftë në Patos-Marinzë, sipas prokurorisë së Fierit ka shmangur gjatë gjithë ekzistencës së saj taksat në vend.









