Kryeministri Edi Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste, që u mbajt në njësinë numër 14 në Tiranë, foli për procesin e legalizime duke e konsideruar si një nisme jo dhe aq e lehtë.
Ai u shpreh se deri më tani janë afro 300 mijë legalizime, por ka ende mijëra të tjerë që presin.
Fjala e Ramës
Kemi diskutuar për legalizimet sepse është një proces i vështirë, janë bërë shumë legalizime afro 300 mijë, janë shumë, por ka akoma edhe një numër 70 mijë që duhet bërë. Por një pjesë e tyre janë problem sa i përket ligjit. Më e drejta është koha e regjistrimit. Ajo që mua më shqetëson është pse dikush që e pret legalizimin që në 2010 duhet të presë akoma dhe dikush që e ka bërë në 2018 e merr më shpejt.
Unë kam 10 vite që pres ndërsa komshiu pesë, dhe ai e merr më shpejt. Nuk funksionon kështu. Do të bëhet një sistem me kritere të qarta me vite dhe njerëzve do t’i thuhet se “prit se jemi akoma tek viti x”, por nuk do të jetë e mundur të bëhen kapërcime në sistem, që ja se “kapa një njeri e ia bëra”, jo nuk do të jetë kështu. Puna vazhdon, legalizime bëhen përditë.
Pastaj pjesa tjetër ka të bëjë me faktin që ne jemi duke digjitalizuar të gjitha hartat. Deri tani janë skanuar 54 milionë fletë. Por që të skanohen secila nga ato ka deri në 8 veprime, kështu që llogariteni vetë sa punë e madhe është. Brenda 2027 do të kemi çdo gjë të digjitalizuar, do të jetë me e thjeshtë.









