Deputetja demokrate Jorida Tabaku interpelancën e kërkuar me kryeministrin Edi Rama për Korporatën e Investimeve e zhvilloi me ministren Delina Ibrahimaj për shkak të delegimit të kreut të qeverisë që nuk ishte i pranishëm. Tabaku kërkoi që Korporata e Investimeve të shpallet organizatë e grupeve kriminale.
“Korporata e Investimeve është një model shumë i shëmtuar, është një model jo perëndimor, është një model që e trajton si plaçkë pasurinë kombëtare. Është një model që i ka marrë frymën ekonomisë. Për mua Korporata e Investimeve duhet të shpallet organizatë e strukturuar kriminale, sepse të njëjtin dëm po i shkakton buxhetit të shtetit” tha ajo.
“Ku janë investitorët perëndimore, apo gjigandët amerikanë. Nuk ka asnjë investitor serioz. Nuk iu duket Korporata e Investime si një zyrë banale urbanistike? E kontrollon pronën publike si një plaçkë lufte. Korporata e Investime për mua është si një incenerator i dytë, pasuritë që kanë ngelur po i shkatërron pa garë. Nuk ka asgjë transparente, por vetëm një listë pronash”, tha më tej Tabaku.
Deputetja mori shembull stadiumin ‘Selman Stërmasi’. “Merr një pronë që është aset i degraduar, në partneritet me privatin e zhvillon, shteti përfiton për shembull një stadium të ri dhe modern, një parkim të madh nëntokësor dhe sipërfaqe për zyra. Pra jep 15 mijë m2 dhe merr në këmbim një stadium me 14 mijë vende, para dhe godina me vlerë 40 mln euro”.









