Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar ashpër Kryeministrin Edi Rama për përdorimin e grupeve kriminale dhe karteleve për të manipuluar procesin zgjedhor dhe për të blerë vota. Gjatë një fjalimi nga foltorja e PD-së, Berisha ka përmendur disa probleme të rëndësishme që prekin qytetarët, duke përmendur si shembuj situatën e përmbytjeve në Durrës dhe mënyrën se si janë trajtuar familjet e prekura.
“A morën dëmshpërblim 6 mijë familjet e Durrësit që u përmbytën? Asgjë! Ata nuk marrin shpërblim, kurse Gjushi me pantallona, apo Sakoja, rrit rrogën e vetë, mbledh Këshillin e rrit rrogën pa shkuar në punë, për të vjedhur duke fjetur,” deklaroi Berisha, duke shtuar se qeveria e Edi Ramës po e përdor pushtetin për të pasuruar vetë zyrtarët, ndërsa qytetarët nuk marrin asnjë ndihmë nga shteti.
Ai gjithashtu ka theksuar se ky është një veprim i jashtëzakonshëm i manipulimit, i cili po zhvillohet duke përdorur të gjitha mjetet dhe burimet e mundshme. Berisha ka bërë thirrje që shqiptarët të mos bien pre e mashtrimeve të qeverisë dhe të kërkojnë përgjegjësi për përdorimin e fondeve dhe mundësive që duhet t’u shërbejnë atyre.
“Ju falënderoj që mblidheni këtu çdo javë dhe përfaqësoni zërin e vërtetë të qytetarëve shqiptarë, i bëni shërbim të jashtëzakonshëm opozitës dhe mbarë shqiptarëve. Kjo foltore u nis si e qytetarëve dhe me fjalimet e mbajtura këtu është pa diskutim një kreshmë në oratorinë, zërin, përgjegjësinë e qytetarëve shqiptarë,” tha Berisha, duke theksuar se qytetarët kanë nevojë për të dëgjuar të vërtetën dhe për të kuptuar manipulimet që ndodhin pas dyerve të mbyllura të institucioneve shtetërore.
/5pyetjet.al









