-sidi education-spot_img
16.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

‘Ligji është antikushtetues’- Zhupa: Portet po u dhurohen oligarkëve

Kryesoret

Deputetja e PD-së, Ina Zhupa, në një deklaratë për mediat nga kryesia e Kuvendit, denoncoi projektligjin e propozuar nga deputetja socialiste Zamira Sina, i cili po kalon me një shpejtësi të pazakontë në tre komisione parlamentare brenda një dite.

Deklarata e plotë e Zhupës

Në fakt është një çështje që e kemi trajtuar dhe herë të tjera, që kur u depozitua ligji për portet. Sot kanë vendosur që me shpejtësi ta kalojnë ligjin për portet, propozim i deputetes Zamira Sina, në tre komisione njëherësh. Pra, sot do të shqyrtohet, do të diskutohet, do të dëgjohen palët dhe do të miratohet, sipas mazhorancës, në tre komisione njëkohësisht. Nisur tani nga ora 11:00 dhe duhet të ketë përfunduar në orën 4:00, në Komisionin e Turizmit, në Komisionin e Burimeve Natyrore dhe në Komisionin e Ekonomisë. Që me këtë e kuptoni se çfarë falsiteti dhe çfarë shqyrtimi parlamentar i garantohet deputetëve, ndërkohë që duan ta fusin ditën e enjte me detyrim përcaktim. Dhe rendi i ditës është i detyruar të dali 48 orë para, pra duhet të dali ditën e sotme. Kjo është shkelja e parë që i bëjnë procedurës parlamentare për të kaluar një ligj i cili është një ligj antikushtetues. Përmes këtij propozimi të deputetes Zamira Sina, që në fakt me shumë mundësi as nuk e di se çfarë ka propozuar, përcakton që ndërtimi i porteve turistike nuk do të realizohet më sipas asaj që thotë ligji i porteve, nëpërmjet procedurave koncensionare, i cili e lejonte, pra ligji i tanishëm e lejon një procedurë koncensionare. Ajo propozon që subjektet që gëzojnë statusin investitor strategjik, mos jenë të detyruara as t’i nënshtrohen këtij procesi.

Por kompania që merr statusin investitor strategjik, dhe për ta sqaruar më thjesht, miku, klienti, oligarku pranë Edi Ramës, të cilit i dhurohen 1001 të mira nga qeveria, nga toka, tek rruga, tek ujësjellës, kanalizime, gjithçka tjetër i dhurohet, t’i dhurohet edhe një portë, pa procedurë, pa garë, pa dhënie koncensionare me detyrim për t’ia rikthyer shtetit, por një e drejtë që fitohet sipas këtij propozimi automatikisht për ta ndërtuar, për ta menaxhuar portin dhe për ta pasur portin. Në skemën e koncensionit që përdorej, që mund të përdorej deri tani, investimi mund të kryhej nga sektori privat, por pas një periudhe të caktuar ky objekt i kthehet përsëri shtetit shqiptar. Ndërkohë me ndryshimin ligjor që propozon deputetja, porti turistik mbetet pronë e përjetshme e një investitori privat, e një klienti, e një oligarku. Pra, hajde gjeni logjikën se si një shtet do të duhet të dhurojë përjetësisht portet e veta turistike. Kush është e mira publike dhe kush është modeli në botë që u bëka kjo gjë, kundrejt asaj që garanton kushtetuta e një vendi, interesi publik dhe standartet e Bashkimit Evropian. Portet konsiderohen si pasuri me interes publik, ndërkohë që projektligji parashikon që kontrata do të jetë një kontratë e lidhur midis Këshillit të Ministrave dhe investitorit strategjik, me një vendim të Këshillit të Ministrave.

Pra, një procedurë që nuk ka as garë, nuk ka as transparencë, ka thjesht një vendim të Këshillit të Ministrave për t’u dhuruar ty veç gjërave të tjera edhe një port. Kjo situatë sigurisht ngre shqetësime lidhur me konkurrencën, me transparencën, por edhe me përfitimin afatgjatë. A është ky ligj i favorshëm për shtetin? A është e favorshme për shtetin dhe për interesin publik të dhurojë prona publike përjetësisht tek një privat? A garanton kjo më të mira? Sigurisht që jo. Ajo që dua të shpreh sot para jush është që ligji është antikushtetues. Dhe për këtë arsye Partia Demokratike sapo të miratohet, bashkë me ekspertët e saj, do ta çojë ligjin në Gjykatën Kushtetuese. Është një ligj që e shkel kushtetutën jo në një pikë, jo në dy, por në parimet e saj, në disa pika, në thelbin e saj, në frymën e saj dhe në atë që është shteti i së drejtës. Shteti i së drejtës që përcakton kushtetuta kërkon stabilitet dhe koherencë normative, transparencë në vendimmarrje, kufizim të diskrecionit administrativ dhe mbrojtje të interesit publik në administrimin e pronës shtetërore. Dua t’ju kujtoj të gjithëve një detaj. Ligji i investimeve strategjike i mbaron afati në 31 dhjetor 2026.

Si ka mundësi që të ndryshojë një ligj i përhershëm për një ligj që ka edhe gjashtë muaj afat? Çfarë do të ndodhi në këto gjashtë muaj që qenka kaq e domosdoshme për të dhuruar porte turistike? I kanë gati listën e klientëve që do ja japin për gjashtë muaj? Kanë gati ta rizgjasin përsëri ligjin e investimeve strategjike, mbasi e kanë zgjatur gjashtë herë deri tani se duhet të kishte përfunduar në 2018-ën? Kështu është mënyra se si funksionon parlamenti shqiptar. Kështu është mënyra se si bëhen ligjet me porosi, për interes të një oligarku, të një klienti dhe jo për interesin publik. Por kushtetuta këtë e ndalon. Ndryshimi i një ligji sektorial me karakter të përhershëm për t’ju përshtatur një skeme të përkohshme të investimeve strategjike, cënon parimin e sigurisë juridike dhe krijon paqartësi në rendin normativ.

Kushtetuta po ashtu kërkon barazi para ligjit dhe ndalon trajtimin diferencial, pa justifikim dhe pa proporcion. Përjashtimi i një kategorie subjektesh, në këtë rast investitorëve strategjik, që të marrin pjesë në procedura konkuruese, trajton qartësisht trajtim preferencial, akses të operatorëve të tjerë e pamundëson dhe cënon barazinë e mundësive në treg. Procedura konkuruese nuk është formalitet administrativ. Është mekanizëm kushtetues që garanton mbrojtjen e interesit publik dhe përdorimin optimal të pasurive shtetërore që duhet të jenë e mirë e përbashkët për të gjithë. Dua të kujtoj që portet, edhe kur klasifikohen si turistike, përbëjnë infrastrukturë kritike kombëtare të lidhur me sovranitetin territorial, siguri detare, kontroll kufitar, zhvillim ekonomik dhe menaxhim të hapësirës bregdetare. Si ishte e mundur që këto të dhurohen përjetësisht tek një privat? Kush është garancia e sigurisë tonë kombëtare, e menaxhimit të hapësirës detare, e sovranitetit territorial?

Prandaj këto trajtohen si pjesë e pasurive publike me një regjistër të posaçëm juridik. Kurse me këtë ligj që duan të kalojnë sot me shpejtësi, kjo bëhet pronë private, trajtohet sipas kontratave private, mund të dhurohet nga investitori strategjik edhe armiqve të Shqipërisë, dhe ku ishim? Jemi në një gjendje pasigurie totale edhe në aspektin e sigurisë kombëtare. Së fundmi, Republika e Shqipërisë ka detyrim kushtetues të harmonizojë legjislacionin me Bashkimin Evropian. Dhe në këtë aspekt, Bashkimi Evropian kërkon që në fushën e koncensioneve, në fushën e prokurimeve publike, në fushën e ndërtimit të të mirave publike, të ketë transparencë, mosdiskriminim dhe procedurë të hapur. Për sa më sipër, të nderuar qytetarë, ky projektligj cënon: parimin e barazisë para ligjit, paralizon konkurrencën e lirë pa justifikim proporcional, shkatërron mekanizmat e transparencës dhe llogaridhënies, minon sigurinë kombëtare, dhuron pronën publike tek një privat përjetësisht, bie ndesh me parimin e sigurisë juridike dhe krijon mospërputhje me angazhimet europiane të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Për këto arsye, Partia Demokratike jo vetëm që do ta kundërshtojë sot në çdo komision, jo vetëm që do ta votojë kundër, por do ta çojë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, do t’i drejtohet Bashkimit Evropian me të gjithë informacionin e mundshëm dhe do ta ndjekë këtë çështje deri në vazhdim. Portet e qytetarëve shqiptarë, portet e Shqipërisë, nuk janë mall tregu që t’i dhurojë Edi Rama për interesat e vet elektorale dhe të pushtetit.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit