Një debat i fortë është zhvilluar në nivelet më të larta të pushtetit në Iran, ku presidenti Masoud Pezeshkian ka akuzuar drejtues të lartë të Gardës Revolucionare për përshkallëzimin e tensioneve dhe shkatërrimin e mundësive për një armëpushim, duke e çuar vendin drejt një katastrofe të mundshme.
Sipas burimeve pranë presidencës, më 4 prill ka ndodhur një përplasje e ashpër mes Pezeshkian dhe Hossein Taeb, një figurë e njohur pranë udhëheqjes supreme të Iranit.
Gjatë takimit të tensionuar, presidenti iranian e ka akuzuar Gardën Revolucionare, përfshirë figura të rëndësishme si Ahmad Vahidi dhe Ali Abdollahi, për veprime të pavarura që kanë nxitur sulme ndaj vendeve të rajonit dhe kanë rrezikuar stabilitetin e Iranit.
Pezeshkian ka theksuar se këto veprime kanë mbyllur çdo mundësi për armëpushim dhe se situata po e çon Iranin në një krizë të thellë. Ai ka paralajmëruar gjithashtu se ekonomia e vendit nuk mund ta përballojë një luftë të gjatë dhe se një kolaps i plotë ekonomik mund të jetë shumë i afërt.









