Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një mbledhje të mbyllur me grupin parlamentar socialist, ku diskutoi për performancën e deputetëve, riorganizimin e partisë para zgjedhjeve vendore dhe rezultatet e turit “Punët e Shqipërisë”.
Gjatë takimit, Rama theksoi rëndësinë e angazhimit të deputetëve dhe u fokusua në zhvillimet ekonomike dhe integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Ai gjithashtu bëri thirrje për mobilizim të plotë të strukturave të partisë për sfidat elektorale që do të vijnë.
“Më ka bërë përshtypje angazhimi dhe dëshira për të dëgjuar në çdo Asamble, faktikisht,” u shpreh kryeministri para deputetëve.
Rritja ekonomike dhe pagat
Duke u ndalur te turi “Punët e Shqipërisë”, i cili synon diskutimin e problemeve që kërkojnë zgjidhje konkrete në çdo qark të vendit, Rama theksoi se perceptimi i qytetarëve për ekonominë ka ndryshuar rrënjësisht. Sipas tij, shqiptarët po e prekin drejtpërdrejt rritjen ekonomike, veçanërisht përmes politikave të fundit për pagat.
“Ndryshe nga më parë, kur flet për ekonominë, ndjen nga atmosfera në sallë se ka një pranim të faktit që ekonomia ka hyrë në një rrugë që i jep të gjithëve shpresë dhe që ka vetëm përmirësim. Kur flet për pagat, është shumë e qartë që njerëzit mund të bëjnë menjëherë verifikimin te vetja dhe te të tjerët përreth,” nënvizoi ai.
Integrimi në BE dhe sfidat elektorale
Përveç ekonomisë, Rama e vuri theksin tek objektivi strategjik i qeverisë: integrimi i plotë i Shqipërisë në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade. Ai e cilësoi këtë si përgjegjësinë më të madhe historike të socialistëve.
“Kjo është sfida e sfidave, jo thjesht për ne, por për një forcë politike që gjendet me fatin e vendit në duar; që ne të mbyllim një varg kapitujsh të historisë, duke vulosur përkatësinë evropiane të Shqipërisë dhe duke siguruar anëtarësimin në BE në vitin 2030,” deklaroi kreu i qeverisë.
Në mbyllje të mbledhjes, vëmendja u zhvendos te proceset e brendshme zgjedhore në Partinë Socialiste. Rama u bëri thirrje deputetëve dhe strukturave për një mobilizim total në funksion të sfidave të ardhshme elektorale.
“Ne kemi hyrë në këtë proces, në radhë të parë, për të energjizuar komplet PS-në në funksion të zgjedhjeve vendore. Sepse përballë kemi vetëm veten dhe sfidën për të realizuar misionin tonë,” përfundoi Rama.









