Presidenti amerikan, Donald Trump ka lëshuar kërcënime të reja ndaj Iranit, duke paralajmëruar përdorimin e forcës ushtarake nëse Teherani nuk i përmbahet kushteve të armëpushimit të arritur 24 orë më parë.
Ai theksoi se nëse marrëveshja nuk zbatohet plotësisht, “të shtënat do të fillojnë më të mëdha, më të mira dhe më të fuqishme se kurrë më parë”, duke lënë të hapur mundësinë e një përshkallëzimi të ri të konfliktit.
Sa i përket përmbajtjes së armëpushimit, Trump pretendoi se ai ishte rënë dakord prej kohësh, duke nënvizuar se nuk do të lejohet zhvillimi i armëve bërthamore dhe se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e hapur dhe e sigurt.
Deklaratat e tij vijnë në një moment paqartësie mbi qëndrimin e Iranit, pasi raportet mediatike dhe reagimet nga autoritetet iraniane kanë ngritur dyshime mbi atë që është rënë dakord realisht në negociata.
Në fund të reagimit të tij, Trump shtoi se ushtria amerikane është në pritje dhe e gatshme për veprime të mëtejshme, duke rritur tensionet në një rajon tashmë të brishtë.









