Kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi ditën e sotme me disa sipërmarrës komentoi në mënyrë indirekte edhe protestën e fermerëve pak ditë më parë të cilëve iu hoq nafta pa taksa.
Rama u tha fermerëve se nafta ka qenë një sfidë për bujqësinë dhe kanë hequr mundësinë që nafta të abuzohet dhe të përdoret për qëllime që nuk kanë lidhje me bujqësinë.
“Nafta ka qenë një sfidë për bujqësinë, kemi dalë në një rezultat shumë të thjeshtë. Kemi më shumë se ç’kishim dje për bujqësinë, por nuk kemi aq shumë sa t’i shpenzojmë pa adresë. Çdo gjë që do shpenzojmë do kthehet në vlerë të shtuar në formën e rimbursimit të TVSH me 10 për qind.
Nëse kemi mbi 60 mijë që kanë marrë naftë, ndërkohë që baza prodhuese nuk e ka këtë lloj proporcioni. Kemi hequr mundësinë që nafta të abuzohet dhe të përdoret për qëllime që nuk kanë lidhje me bujqësinë.
Ose kemi dalë në atë konkluzion edhe për një fakt tjetër: shumë njerëz që punojnë tokat e të tjerëve kanë qenë të detyruar të marrin naftën dhe t’ia japin të tjerëve” tha ai.
Fermerët protestuan para Ministrisë së Bujqësisë duke kërkuar subvencionim të naftës, ndaljen e importit të bulmetit si dhe mbështetjen e prodhimit vendas.









