Media iraniane pranë qeverisë kanë reaguar pas dështimit të bisedimeve të paqes mes SHBA-së dhe Iranit në Pakistan, duke akuzuar palën amerikane për qëndrime të ashpra dhe mungesë vullneti për kompromis.
Sipas Agjencisë së lajme Fars, një burim pranë delegacionit iranian ka deklaruar se “amerikanët kërkuan në negociata gjithçka që nuk arritën të marrin përmes luftës”. I njëjti burim theksoi se mosmarrëveshjet kryesore lidhen me çështje strategjike si Ngushtica e Hormuzit dhe programi bërthamor iranian.
Po ashtu, burime të tjera të cituara nga kjo agjenci sugjerojnë se delegacioni amerikan mund të ketë kërkuar një arsye për t’u tërhequr nga tryeza e negociatave.
Ndërkohë, edhe Agjencia e lajmeve Tasnim, një tjetër media e afërt me autoritetet në Teheran, raportoi se Irani nuk është nën presion kohe për të vijuar bisedimet. “Irani nuk është me nxitim për negociata”, citohet të ketë thënë një burim pranë procesit.
Të dyja agjencitë konsiderohen si media gjysmë-zyrtare dhe shpesh reflektojnë qëndrimet e establishmentit politik në Iran.









