Presidenti Bajram Begaj ka mbajtur fjalën e tij sot në 13 prill në Samitin e Diasporës në Tiranë.
“Kur flasim për Diasporën sot, nuk flasim më vetëm për nostalgji, për mall apo për numra. Flasim për ndikim global. Shqiptarët janë aty: nga majat e inteligjencës artificiale, tek institucionet ndërkombëtare, tek auditorët e universiteteve më të mira, te sipërmarrjet e suksesshme, te sallat e operacionit, te fushat e sportit dhe skenat e artit.
Diaspora jonë nuk përfaqëson vetëm një histori suksesi individual. Ju jeni fuqia dhe forca jonë! Ju jeni ambasadorët tanë më të mirë, që kontribuoni pa urdhër, por me krenari!
Por ky potencial i madh juaji duhet shfrytëzuar.
Për vite me radhë, lidhja mes shtetit dhe Diasporës ka qenë më shumë emocionale, sesa strategjike. Më shumë fjalë, sesa veprime konkrete. Më shumë festime, sesa plane reale.
Për dekada, Diaspora ka qenë mushkëri ekonomike. Falë jush, shumë familje janë mbështetur financiarisht dhe kanë ecur përpara, por mendoj se koha e transfertave vetëm për konsum po mbyllet.
Synimi ynë është t’i kthejmë kursimet tuaja në kapitale zhvillimi, në investime reale në energji, turizëm, bujqësi, teknologji dhe ide të reja.
Duam që Diaspora jonë të jetë partnere e së ardhmes së Shqipërisë, që të investoni mendjen dhe kapitalin këtu, në vendi tuaj.
Por partneriteti kërkon angazhim, kërkon edhe përfaqësim. Tashmë e drejta e votës nuk është më një premtim. Është një realitet. Shqiptarët jashtë vendit votojnë dhe zgjedhin përfaqësuesit e tyre.
Ndërsa shohim drejt vitit 2030, objektivit strategjik të anëtarësimit tonë në Bashkimin Evropian, nuk duhet të harrojmë busullën tonë: identitetin tonë kombëtar.
Bota arbëreshe është dëshmia e gjallë se identiteti shqiptar i mbijeton shekujve edhe kur është larg atdheut. Por sot sfidat janë të tjera. Prandaj, duhet të investojmë më shumë në gjuhën shqipe, në arsim, në rrjete profesionale dhe në qendra kulturore në botë, që brezat e rinj të mos e trashëgojnë Shqipërinë si një kujtim të largët, por si një lidhje të gjallë e të fortë”,u shpreh Begaj.









