Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, pasditen e kësaj të marte, me anë të një njoftimi në faqen e tij facebook ka njoftuar për takimin që ka mbajtur me drejtues të Policisë së Shtetit, IKMT-së dhe institucioneve vendore në Sarandë, ku në fokus të diskutimeve ka qenë lufta kundër ndërtimeve pa leje, uzurpimi i hapësirave publike dhe çdo abuzim tjetër që pengon interesin e shumicës qytetare.
Ky takim ka ardhur menjëherë pas rastit të disa ditëve më parë, ku AMP ka arrestuar shefin e komisariatit të Sarandës, Gëzim Bashllari, i akuzuar për përfshirje në ndërtime pa leje.
Postimi i Lamallarit
Ngjarja e javës së kaluar na tregoi se çfarë ndodh, kur papërgjegjshmëria e dikujt për të zbatuar ligjin lejon një aventurë, duke e konsideruar se mbetet në kufijtë e lokales. Saranda, por edhe i gjithë bregdeti shqiptare është një pasuri kombëtare. Ka interes kombëtar. Nëse dikush mendon se interesat vetjake mund të rreshtohen në kufijtë e lokales, e ka shumë gabim.
Ajo se çfarë pamë ne, reagimi i shpejtë i Policisë së Shtetit dhe strukturave përgjegjëse ishte vetëm mesazhi i parë që ne japim, për të treguar se kjo gjëja këtu nuk ishte vetëm një lojë. Ne nuk mund të presim që të bëhet ndërtimi 7 katësh në bregdet dhe që ne të reagojmë. Ajo që është më e rëndësishme është se si ndjehen qytetarët në raport me ligjin, turizmin. Kjo kërkon një hetim më të thelluar, përtej përgjegjësisë direkte, të atyre punonjësve që kanë neglizhuar, apo janë bërë palë. Mesazhi është shumë i qartë, për personat që kanë për detyrë të zbatojnë ligjin: ose të bëjnë detyrën me nder, çdo kush tjetër që mendon të mos e bëjë diçka të tillë, atëherë llogaritë le t’i bëjë vetë.









