Një tempull i shekujve IV–III para Krishtit është zbuluar në majën e një kodre pranë Bushatit të Shkodrës. Struktura, e cila nga arkeologët interpretohet si një tempull, është një nga zbulimet më të rëndësishme të ekspeditave të fundit në këtë sit arkeologjik.
Zbulimi është pjesë e kërkimeve në një qendër urbane të periudhës ilire, e cila prej vitesh po studiohet nga arkeologë shqiptarë dhe polakë nën drejtimin e Saimir Shpuzës duke zbuluar gradualisht shtrirjen e një qyteti antik të panjohur më parë në këtë përmasë.
Me një sipërfaqe rreth 20 hektarë dhe me një sistem fortifikimi që rrethon qytetin, kjo qendër ka përmasa të krahasueshme me Shkodrën dhe Lezhën e së njëjtës periudhë.
Vendosja e tempullit në pikën më të lartë të qytetit, me pamje mbi fushën e Zadrimës, Shkodrës dhe Lezhës tregon rëndësinë e kësaj strukture në organizimin e hapësirës urbane antike.
Edhe pse arkeologët e referojnë këtë qytet si Basania, emri i tij antik ende nuk është konfirmuar përfundimisht, pasi deri tani nuk janë gjetur mbishkrime që ta identifikojnë.
Ndryshe nga Shkodra dhe Lezha, të cilat kanë pasur vazhdimësi banimi dhe ndryshime gjatë shekujve, ky sit ka ruajtur më shumë elemente të strukturës së tij të lashtë, duke krijuar mundësi për të kuptuar më mirë organizimin e një qyteti të kësaj periudhe.
Siti arkeologjik i Bushatit tashmë është shpallur zonë e mbrojtur arkeologjike, duke garantuar ruajtjen e mëtejshme të strukturave dhe dëshmive që po zbulojnë historinë e këtij qyteti antik./ klan









