-sidi education-spot_img
24.1 C
Tirana
-sidi education-spot_img

DW: Botërori, ilaç i shpirtit dhe bashkues i njerëzve!

Kryesoret

Pas një goli, njerëzit përqafohen me njëri-tjetrin, edhe pse vetëm pak çaste më parë ishin të panjohur. Fanellat ndërrohen dhe papritur të gjithë festojnë për të njëjtën skuadër. Gjatë një Kampionati Botëror të Futbollit, kjo duket pothuajse krejt normale. Për Katie Wood, psikologe klinike në Universitetin Swinburne në Melburn, këto nuk janë thjesht momente prekëse mes tifozësh. Situata të tilla, thotë ajo, mund të ndihmojnë realisht në ruajtjen e ekuilibrit emocional.

“Faktori më i rëndësishëm mbrojtës për shëndetin tonë mendor është ndjenja e lidhjes – lidhja me veten, me njerëzit e tjerë, me komunitetin dhe kulturën tonë”, shpjegon Wood në një intervistë për DW.

Sipas saj, sporti prek pikërisht këtë element thelbësor: ai i bashkon njerëzit dhe krijon kontakte mes tyre.Kjo ndjenjë përkatësie nuk lind vetëm brenda familjes apo rrethit të miqve. Ajo mund të shfaqet edhe kur njeriu, qoftë edhe për një çast, e përjeton veten si pjesë të diçkaje më të madhe. Një Kampionat Botëror Futbolli e krijon shpesh këtë ndjesi me një shpejtësi të habitshme – madje edhe mes njerëzve që nuk janë takuar kurrë më parë.

Amerikanët festojnë me algjerianët

Se si duket konkretisht mund ta shohësh vazhdimisht gjatë këtij Kampionati Botëror: tifozë nga vende të ndryshme festojnë së bashku, shkëmbejnë fanella ose befas mbështesin krah për krah të njëjtën skuadër. Në qytetin Lawrence, në shtetin amerikan të Kansasit, qendra e qytetit u shndërrua gjatë ndeshjes mes Algjerisë dhe Austrisë në një zonë të madhe shikimi publik me ngjyrat jeshile dhe të bardha. Meqenëse kombëtarja algjeriane kishte vendosur aty bazën e saj për Botërorin, qindra banorë vendas dolën të veshur me fanella të Algjerisë, me ngjyrat kombëtare të pikturuara në fytyrë dhe me flamuj në duar.

Edhe në vende të tjera u bë e qartë se sa shpejt futbolli mund të ndërtojë ura mes njerëzve. Pas ndeshjes së 1/8 së finales mes Zvicrës dhe Kolumbisë në Vankuver, dy tifozë shkëmbyen fanellat e tyre si kujtim të mbrëmjes së përbashkët. Në Siatëll, nga ana tjetër, pas eliminimit të SHBA-së nga turneu, një tifoz belg ngushëlloi një tifoz amerikan të zhgënjyer.

Përkatësia si ndjenjë bazike

Pikërisht këtu Katie Wood sheh forcën e veçantë të një turneu si Kampionati Botëror. Njerëz që në jetën e përditshme ndoshta nuk do të ishin takuar kurrë, përjetojnë për një kohë të shkurtër të njëjtat emocione. “Mund të vish nga mjedise krejtësisht të ndryshme jetësore. Por në çastin kur mbështet të njëjtën skuadër, krijohet një përjetim kolektiv me një qëllim të përbashkët,” thotë ajo.

Ky qëllim i përgjigjet një nevoje themelore njerëzore që shpesh nënvlerësohet: nevojës për t’u ndier pjesë e diçkaje. Nuk ka rëndësi nëse dikush është tifoz prej dekadash apo po ndjek një ndeshje për herë të parë. Më e rëndësishme është ajo që njerëzit përjetojnë së bashku: emocionet para fillimit të ndeshjes, gëzimi pas një goli apo zhgënjimi i përbashkët pas një humbjeje. “Askush nuk e di se çfarë përjetojmë ne si njerëz nga dita në ditë,” i tha DW-së një vizitor në një zonë tifozësh. “Prandaj momente si këto janë kaq të veçanta.” Dhe edhe ata që nuk kanë një skuadër të preferuar mund të përfshihen nga kjo atmosferë. “Unë jam thjesht i lumtur,” tha një vizitor në Filadelfia për DW-në. “Nuk kam ndonjë ekip të preferuar, por tani më pëlqen shumë t’i shikoj ndeshjet”.

Kampionati Botëror si shkëputje nga rutina

Ekspertja Wood përmend edhe një aspekt tjetër: Kampionati Botëror mund t’i ndihmojë njerëzit të shkëputen, qoftë edhe për pak kohë, nga rutina dhe shqetësimet e përditshme. “Kur në botë ndodhin kaq shumë gjëra, ne kërkojmë mënyra për t’i shpëtuar për një çast jetës së përditshme,” shpjegon ajo. “Dhe ta përjetosh Botërorin, me gjithë atmosferën që e shoqëron, së bashku me njerëz të tjerë, është një mënyrë shumë e shëndetshme për ta bërë këtë.”

Sigurisht, në qendër të një turneu si Kampionati Botëror qëndron futbolli. Por për shumë tifozë, kujtimet më të forta nuk lidhen domosdoshmërisht me vetë ndeshjen. Ato krijohen nga gjithçka që ndodh rreth saj: emocionet e përbashkëta, takimet e papritura, festimet, bisedat dhe ndjenja e të qenit pjesë e diçkaje më të madhe./ DW

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit