Të dielën, qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë udhëtuan në disa qytete të Serbisë për të votuar në referendum.
Ambasadori i misionit të SHBA-së në OSBE, Michael Carpenter ka komentuar atë që ndodhi në fundjavë duke deklaruar se Amerika ka pozicion të qartë sa i përket të drejtës që Kosova si shtet i pavarur ka që të përcaktojë kushtet për organizimin e zgjedhjeve të shteteve të tjera në territorin e saj.
Megjithatë, ai deklaron se shpresonte që qeveria e Kosovës do të vazhdonte praktikën e mëhershme që të lejojë OSBE-në procesin e votimit edhe për referendumin e Serbisë.
“Le të jemi të qartë për pozicionin e ShBA-së mbi të drejtat e Kosovës që si një shtet sovran dhe i pavarur të përcaktojë kushtet përmes të cilave zgjedhjet e shteteve të tjera të zhvillohen në territorin e saj.
Ne shpresuam që qeveria e Kosovës do të vazhdonte praktikën e mëhershme të lejimit të OSBE-së për të mbledhur fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë, por zgjodhën që mos ta bëjnë këtë”, ka thënë ambasadori Carpenter.
Kosova e kundërshtoi mbajtjen e referendumit kushtetues të Serbisë në komunat me shumicë serbe në Kosovë.