Rreth 90 tonë të “ndihmës vdekjeprurëse” të Shteteve të Bashkuara ka arritur në Ukrainë, teksa tensionet janë të larta për shkak të grumbullimit të ushtrisë ruse përgjatë kufirit me Ukrainën.
Kjo ishte dërgesa e parë e pakos së ndihmës të miratuar së fundmi nga ushtria amerikane për Ukrainën, ku përfshihen edhe municione për “mbrojtësit në vijën e parë” të frontit.
Kjo dërgesë arriti në Ukrainë pas vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Kiev gjatë kësaj jave, nga ku ai paralajmëroi për përgjigje të ashpër nëse Rusia pushton Ukrainën, raporton BBC.
Moska ka mohuar se ka plane për ta sulmuar apo pushtuar Ukrainën.
Presidenti amerikan Joe Biden, në dhjetor miratoi një pako të ndihmës së sigurisë në vlerë prej 200 milionë dollarësh.
Ambasada amerikane në Kiev tha se kjo dërgesë dëshmon “angazhimin e vendosur të SHBA-së ndaj të drejtës sovrane të Ukrainës për vetëmbrojtje”.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ofrojnë ndihmë të tillë për Forcat e Armatosura të Ukrainës në përpjekjet e tyre të vazhdueshme për të mbrojtur sovranitetin e Ukrainës dhe integritetin territorial kundër agresionit rus”, tha Ambasada amerikane përmes një postimi në Facebook.
Ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksiy Reznikov, falënderoi SHBA-në për ndihmën.
Dërgesa me ndihma arriti disa orë pasi ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe homologu i tij amerikan, Blinken zhvilluan bisedime në përpjekje për të ulur mundësitë e zgjerimit të konfliktit në Ukrainë.
Më 2014, Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë aleanca ushtarake e NATO-s ka paralajmëruar se ka rrezik real për një konflikt të ri në Evropë, pasi Rusia ka grumbulluar mbi 100,000 trupa në kufi me Ukrainën.
Moska mohon se po planifikon ta pushtojë Ukrainën, por presidenti rus Vladimir Putin, ka prezantuar kërkesa për Perëndimin, që sipas tij, kanë të bëjnë me shqetësimet për sigurinë e Rusisë, përfshirë edhe kërkesën që Ukraina të mos anëtarësohet në NATO.
Putin po ashtu dëshiron që NATO të mos zhvillojë stërvitje ushtarake dhe të ndalojë së dërguari armë në lindje të Evropës, duke i parë këto veprime si kërcënim direkt për sigurinë e Rusisë. / Rel