Gjatë asamblesë së jashtëzakonshme të shoqatës rajonale “Tiranë”, Erion Veliaj u shpreh se nesër do të bëjë dy kallëzime penale ndaj zyrtarëve të FSHF, njëri prej të cilëve ndaj sekretarit të përgjithshëm të këtij institucioni, Ilir Shulku.
“Nuk do të lëmë gur nga organet e drejtësisë pa lëvizur dhe ky nuk është kërcënim, por një premtim. Kur e drejta dhe të drejtët bëhen bashkë nuk ka asnjë klan mafioz që na ndalon në rrugën tonë. Unë jam këtu si aksioner dhe jo si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Për mandat të gjashtë, ne nuk na merr njeri për budallenj”, tha ai teksa iu referua Armand Dukës, kreut aktual të FSHF.
Veliaj komentoi edhe publikimin e audiopërgjimit të tij nga FSHF, duke u shprehur se ajo ishte një bisedë me një grup çunash, ndërsa kërkoi falje për ata që janë ofenduar.
“Me një grup çunash në dhomën e zhveshjes flitet lirshëm, gjithsesi kërkojë ndjesë kush është ofenduar. Por unë nuk i heq asnjë presje asaj që kam thënë. Unë ndoshta flas më rëndë ndaj padrejtësive, por ata janë një bandë”, u shpreh Veliaj.