Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell, ia ka bërë të qartë Serbisë se avancimi i saj drejt Bashkimit Evropian varet nga normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën dhe se nuk ka vend në BE për ato shtete që e mohojnë gjenocidin dhe festojnë për kriminelët e luftës.
Shefi i diplomacisë evropiane, në një konferencë të përbashkët me kryeministren serbe Ana Brnabic, pas takimit të Këshillit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Serbisë dhe BE-së në Bruksel, theksoi se “kur bëhet fjalë për normalizimin e marrëdhënieve dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në rajon, ata që festojnë për krimet dhe kriminelët e luftës dhe i mbështesin publikisht, si dhe ata që kërcënojnë stabilitetin dhe procesin e pajtimit në rajon, duhet ta dinë se kjo nuk është në përputhje me vlerat evropiane”.
“Ne i ndamë ato parime me kryeministren e Serbisë dhe jemi të sigurt se Serbia do të vazhdojë të ndjekë rrugën evropiane”, tha Borrell.
Kur bëhet fjalë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Borrell theksoi se nevojitet të sigurohet përparim i shpejtë në procesin e normalizimit, në zbatimin e marrëveshjeve të arritura më parë dhe avancimin drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme.
“Ne presim që Kosova dhe Serbia të arrijnë përparim kur bëhet fjalë për zotimet që kanë bërë dhe ende nuk i kanë përmbushur”, tha Borrell, duke u kërkuar të dyja palëve të krijojnë një atmosferë të përshtatshme për dialog dhe të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat e njëanshme.
Borrell ka përsëritur thirrjen që të zbatohen të gjitha marrëveshjet që janë arritur deri tash në dialogun që e ndërmjetëson blloku evropian.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Rundi i fundit i dialogut në nivel të lartë, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç është mbajtur në korrik të vitit 2021.