E gjithë vëmendja është te java e parë e marsit, ku në datë 6 do të mbahen zgjedhjet e pjesshme lokale në 6 bashki të vendi, por nuk është aspak për t’u lënë në planë të dytë edhe data 2 mars, ditë në të cilën Armand Duka do të kërkojë mandatin e tij të gjashtë në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Edhe pse jemi gati 40 ditë nga 2 marsit, tensionet kanë nisur që tani, madje ditën e hënë ato arritën kulmin, kur FSHF publikoi një audiopërgjim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkoi nga anëtarët e Asamblesë së Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, që të mbështesin kandidatin Eduard Prodani për të kryesuar këtë shoqatë. Në mbrëmje, situata degjeneroi edhe më tej, kur një sasi tritoli u vendos në derën e shtëpisë së Armand Dukës në Durrës.
Në këto tensione, deri tani, bie në sy qëndrimi i Edi Ramës, i cili i pyetur këtë të martë për përgjimin e Veliajt u shpreh shkurt: “Nuk e kam dëgjuar dhe as nuk kam ndërmend ta dëgjoj”.
Për këtë qëndrim të kryeministrit në këtë çështje ka reaguar në mbrëmje, me anë të postimi në Facebook, gazetari Artan Hoxha, i cili “parashikon” se dy sylltanët, siç i quan ai, Rama-Duka, mund ta gjejnë gjuhën e përbashkët, pasi e kanë bërë edhe më parë këtë.
“Në pritje, që sulmuesi me numër 11, të hyjë në fushë dhe të marrë situatën në dorë, për të vendosur i kujt është topi dhe kush do ta gjuajë penalltinë…
Mos u çudisni nëse dy sulltanët dhe njëkohësisht dy njerëzit, që kanë qendruar më gjatë në pushtet në Shqipëri, do ta gjejnë gjuhën e përbashkët.
E kanë bërë këtë gjë edhe më parë…”, shkruan Hoxha.