KLSH ka kallëzuar në prokurorinë e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ish drejtorin e përgjithshëm të autoritetit portual Durrës dhe gjashtë punonjës të tij.
KLSH: Kontrolli i Lartë i Shtetit, në cilësinë e institucionit më të lartë të kontrollit ekonomik dhe financiar të organeve të pushtetit qendror dhe vendor, ka ushtruar auditim përputhshmërie dhe rregullshmërie në subjektin Autoriteti Portual Durrës (APD) për periudhën e veprimtarisë 01.07.2018- 31.12.2020. Konkretisht nga auditimi i kryer lidhur me procedurën e prokurimit “Shërbim konsulence”, me objekt “Libri i tarifave” janë konstatuar një sërë shkeljesh dhe parregullsish të ndërmarra me veprime aktive nga ish Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Përgjegjësi i Prokurimeve, dy Përgjegjës Sektori, një jurist dhe dy specialist.
Veprimet e ish Titullarit të APD dhe punonjësve të tij janë kryer në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore që normojnë detyrën e tyre funksionale, si dhe rregullat e prokurimit publik, duke sjellë për pasojë keqpërdorim të fondeve publike. Në lidhje me këto shkelje, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kallëzimin penal që i atriubohet shtatë funksionarëve të Autoritetit Portual Durrës për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar respektivisht nga neni 258 dhe 248 i Kodit Penal.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë ushtrimit të auditimit financiar dhe i përputhshmërisë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka konstatuar shkelje të kryera nga ana e tetë funksionarëve të MSHMS, institucioneve në varësi të saj, si dhe dy punonjës të ATRAKO, lidhur me procedurën për “Koncesionin/ partneritetin publik privat, për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjes” si dhe procedurën e prokurimit për “Blerje monitor pacienti për masat anti-covid”.
Nga auditimi i procedurës së koncesionit të lartëpermendur, janë evidentuar veprime të kundërligjshme të shtatë punonjësve, anëtarë të Kominisionit të Dhënies së Koncesionit/PPP veprime këto që bien në kundërshtim me detyrimet ligjore që i atribuohet këtij komisioni, si dhe me dispozitat ligjore që normojnë procedurën e koncesionit në fjalë.
Gjithashtu nga auditimi i procedurës së prokurimit për “Blerje monitor pacienti për masat anti-covid” janë konstatuar një sërë shkeljesh të kryera nga tre punonjës, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në kundërshtim me dispozitat ligjore për prokurimin publik, si dhe me përmbushjen e rregullt të detyrës së anëtarit të KVO-së.
Në lidhje me këto shkelje, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhjetë punonjës të lartëpërmendur për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.