Raporti i Transparency International dhe protesta e banorëve të “5 Majit” ditën e sotme “zbritën” në Kuvendin e Shqipërisë duke u kthyer në kryefjalë të debatit mes shumicës dhe opozitës. Kryetari i PD-së Lulzim Basha akuzoi Edi Ramën se po “bredh” nëpër botë me charter privat.
“Para dy ditësh shkoi e erdhi me charter privat. Harxhoi 150 mijë euro karburant që kushton në charter privat. Rama shkon e vjen me një charter luksoz, në Paris dhe në Mynih. Kur vjen puna për të dalë para shqiptarëve nuk është. Me siguri do të vijë përgjigja është me takime të rëndësishme. Në cilin vend të botës kryeministri lëviz me charter privat në kryeqytet luksozë të botës. Qeveria e Edi Ramës është qeveria me e korruptuar e botës.
Banorët e “5 Majit” janë në një gjendje lufte. Dy ditë më parë Transparency International faktoi që kjo është qeveria më e korruptuar e Ballkanit. Paligjshmëria, largimi i shërbimit nga qytetarët, zhveshja e institucioneve nga arsyeja e shërbimit të qytetarëve dhe kthimi i tyre në kurriz të mirëqenies së cdo qytetari. Këto nuk janë fjalët e opozitës, por të vërteta të pamohueshme, që cdo njeri, cdo i papunë përballet cdo ditë” tha ai.
Në mungesë të kryeministrit Edi Rama në Kuvend, Lulzim Bashës iu përgjigj ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me parlamentin Elisa Spiropali. “Bën mirë të sqarosh pozicionin tënd brenda PD-së përpara shqiptarëve. Ne kemi kërkuar të ngrihet komisioni i reformës zgjedhore, por ju keni pasur disa punë të brendshme. Por nuk mund të hidhni baltë mbi proceset në Shqipëri. 25 prilli nuk ishin masakër zgjedhore, por humbja juaj e radhës. Sa më shpejt do ta pranoni aq më shpejt do të ndryshoni” tha ajo.
/5Pyetjet.al