Këshilli Bashkiak i Durrësit ka miratuar grantet për banesat e dëmtuara nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit. Menjëherë pas këtij vendimi ka reaguar dega e Lëvizjes Socialiste për Integrim në këtë qytet, sipas së cilës, duhej që të miratoheshin zgjedhjet lokale të 6 marsit nga presidenti Meta, që bashkia e Durrësit të ndante grantet për familjet e prekura nga tërmeti.
Për Lëvizjen Socialiste për Integrim, kjo është skemë mashtruese e Rilindjes, e përsëritur tashmë nga zgjedhjet elektorale.
“Banorët e Durrësit, mirënjohës Presidentit Meta për caktimin e datës së zgjedhjeve!
Duhej dekreti i Presidentit të Republikës për zgjedhjet lokale të 6 Marsit, që Këshilli Bashkiak Durrës të merrte vendim për miratimin e granteve për banesat e familjeve të dëmtuara nga tërmeti!
Bashkia Durrës, 10 muaj pushim për banesat e dëmtuara nga tërmeti, nga zgjedhjet e 25 Prillit 2021 deri kur u caktuan zgjedhjet lokale!
Pasditen e te premtes pritet te mblidhet Këshilli Bashkiak Durrës, ku ndër të tjera do miratohet edhe lista e personave/familjeve që përfitojnë grantin për rikonstruksionin e banesave të dëmtuara nga tërmeti. Por pse pikërisht në këtë kohë???
Dekreti Presidencial i datës 20 Janar për zgjedhje vendore edhe në Bashkinë Durrës, bëri që qindra familje të përfitojnë bonusin e qirasë që mungonte prej 3 muajsh në familjet e tyre dhe ‘shkundi xhepat’ e Bashkisë për grantet e mbi 500 familjeve durrsake!
Këto janë ‘skemat mashtruese josurprizë’ të Rilindjes gjatë fushatave zgjedhore!
Me sytë nga Zoti e me shpresë për zgjedhje të tjera sa më të afërta, familjet e tjera ende të pa dëmshpërblyera mbeten në pritje”, mbyllet reagimi i LSI.