I ftuar në “Report Tv” deputeti Flamur Noka, anëtari i Komisionit të Rithemelimit ka akuzuar Lulzim Bashën se gjatë protestave të vitit 2019 futi në kurth atë dhe Edi Palokën.
Noka u shpreh se Basha u’a ngarkonte atyre drejtimin e protestave dhe më pas ankohej në ambasada duke thënë se dhuna në protesta ishte vepër e njerëzve të Berishës.
Më tej, Noka theksoi se Basha do të arrestohej nëse do të zbriste në një aeroport amerikan. “Na kërkonte që protestat t’i drejtoja unë dhe Edi Paloka. Sa mbaronte protesta shkonte nëpër ambasada dhe thoshte shikoni, janë njerëzit e Berishës ata që i drejtojnë protestat. Lulzim Basha sot po të zbresë në çdo aeroport amerikan arrestohet. Edhe pse zonja ambasadore ka bërë çdo gjë të marrë vizë, po nuk mori vizë diplomatike arrestohet. Unë kam qenë ministër dhe i njoh këto faza. Këtij proamerikani të madh i vihen prangat”.
Deputeti Noka ka zbuluar edhe qëndrimin e ish-kryeministrit Berisha për djegien e mandateve duke theksuar se vendimi është marrë nga Basha pa u këshilluar me strukturat e PD-së.
“Unë kam qenë partizan i djegies së mandateve, ose më saktë të kërcënimit për djegie mandatesh, sepse Edi Rama po sillej totalisht në mënyrë jodemokratike me opozitën. Zoti Basha e ka deklaruar në media pa na thirrur ne së pari. Sali Berisha në mbledhje më paska thënë se çdo gjë duhet matur dhe menduar mirë. Djegia e mandateve është një akt që të mos prisni që ndonjë faktor ndërkombëtar t’ju mbështesë. Unë nuk e di a do të keni këllqe ta mbani. Do të zbatoj çdo vendim, tha Berisha, dhe iku. Kjo ka qenë deklarata e Berishës”.